Secondary Adv

Hiqen taksat per zanatcinjte, ambulantet dhe tregjet e lagjeve

Kryeministri deklaron se nuk do të ketë rritje taksash, një vendim ky i konsultuar edhe me FMN-në. Rama i paraqiti si të sigurta përjashtimet nga taksat për biznesin e vogël me pakicë dhe zanatçinjtë, po ashtu, heqjen e tarifës së skanimit në dogana për manifakturën.


Përfituesit
Përfaqësuesit e industrisë fason kanë marrë dje një premtim konkret nga Kryeministri për të mos paguar për skanimin e kontejnerëve me lëndë të parë që sjellin nga jashtë. “Ne jemi sot, në kushtet kur shikojmë një rritje të konsiderueshme të manifakturës. Prandaj kemi marrë përsipër që të paguajmë si shtet, detyrimin që të gjithë eksportuesit e manifakturës kanë si detyrim të ri në dogana, për shkak të futjes së skanimit”, deklaroi Rama. Kështu, vazhdoi Rama, nuk do të jetë më barrë për kompanitë dhe nuk do të kenë kompanitë stresin e rritjes së kostos dhe të uljes së aftësisë së tyre konkurruese.

 

Ndërkaq, Rama ka përsëritur angazhimin ndaj shoqatës së zejtarisë që kjo kategori të mos trajtohet si biznes. “Ky operacion na jep mundësinë të kemi një qasje të re ndaj të gjithë të vetëpunësuarve përmes zanateve të tyre, për të cilët do të zerojmë taksat, me kushtin që të jenë të regjistruar dhe të siguruar, jo në të zezë, pra, çdokush që është i vetëpunësuar me zanatin e tij”, tha Rama. “Do të ketë një listë të përcaktuar të të gjitha zanateve që krijojnë vetëpunësim dhe jo punësim të të tjerëve, domethënë, jo ndërmarrje të vogla, që nuk do të paguajnë asnjë taksë”, saktësoi Rama. Po kështu, deklaroi Kryeministri, e njëjta gjë do të bëhet për tregjet e lagjeve, ku secili që shet në treg do të trajtohet si ambulant, por me kushtin që të jetë i regjistruar. Rama premtoi të njëjtën gjë, edhe për ambulantët në territor, që do të marrin nga bashkitë një dokument regjistrimi. “Njerëz të paregjistruar, që operojnë në të zezë, nuk duhet të ketë dhe për çdo lloj veprimtarie në të zezë, masat do të jetë drastike”, paralajmëroi Rama.


Bisedimet me FMN-në
“Edhe pse i takon ditës së nesërme, prezantimi publik i përfundimit të negociatave me FMN-në, unë mund të pararend ditën e nesërme, duke vënë theksin në dy aspekte. Së pari, nuk do të kemi rritje taksash. Çka konfirmon, po këtë herë jo me zërin tonë, por me qëndrimin e FMN-së se gjithçka është propaganduar për rënien e të ardhurave nuk ka lidhje asgjëkundi me arsyet e gënjeshtërta që i janë servirur publikut”, deklaroi Rama. Sipas Kryeministrit, rënia e të ardhurave ka lidhje me koniunkturën ndërkombëtare, që nga rënia e çmimit të naftës, e çmimit të mineraleve, kursi i këmbimit dhe inflacioni. Nga ana tjetër, Rama njoftoi se nuk do të preken investimet kapitale. “Konfirmimi i ecurisë brenda programit të konsolidimit financiar dhe të rritjes ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar është konfirmimi më i mirë dhe më inkurajues që vendi mund të merrte sot”, deklaroi Rama, duke nënkuptuar se bisedimet me FMN-në do të mbyllen me miratimin e rishikimit të pestë të marrëveshjes.


Eurobondi
Përfundimi me sukses i operacionit të Eurobondit, ishte zgjedhur si pika hyrëse e fjalës së Kryeministrit në takimin me biznesin. “Pasi morëm atë që kërkonim në raport me Eurobondin e vjetër, kemi tani një Eurobond të ri me 450 milionë euro dhe me 5,75% interes, që është treguesi më kuptimplotë i punës dhe imazhit që ka ndërtuar vendi në të gjithë këtë rrugëtim”, njoftoi Rama. “Fakti që, tregjet u përgjigjën me kaq pozitivitet, në një klimë që nuk është më e favorshmja në tregjet financiare, është përgjigjja më e mirë dhe më solide për të gjitha pretendimet se ekonomia nuk po ecën mirë, se financat e vendit nuk janë të shëndetshme, se operacionet e qeverisë nuk po japin rezultatin e duhur dhe mbi të gjitha se reformat nuk janë të duhurat”, deklaroi Kryeministri. Lidhur me operacionin antiinformalitet, Rama deklaroi se, falë tij qeveria ishte në një pozicion të favorshëm besimi ndaj FMN-së.


Më të lexuarat