Secondary Adv

Zgjedhet presidenciale dhe parlamentare ne Serbi, Vucic shpall fitoren

Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.

 

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 3 prill.

 

Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6% të votave, që i japin Vuçiçit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë. Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50% të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.

 

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/CeSid, në bazë të 62.5% të votave të përpunuara, lista "Aleksandar Vuçiq -Së bashku mund të bëjmë gjithçka" ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6%.

 

Ndërkaq, koalicioni opozitar "Të bashkuar për fitore" pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave. Partneri i koalicionit të SNS, Partia Socialiste e Serbisë, sipas rezultateve paraprake, ka fituar 11.6% të votave.

 

Koalicioni NADA pritet të fitojë 5.4%, teksa koalicioni "Ne duhet" 4.3%, Dveri 4% dhe Zavetnici 3.9% të votave. Të dielën, më 3 prill, qytetarët serbë votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60% të votuesve.

 

Kjo është një shifër më e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve. Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.

 

Përfaqësuesit e Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë.

 

Opozita ka kritikuar vendimin e komisionit duke e cilësuar si të paprecedent. Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00./Burimi: REL


Më të lexuarat