Secondary Adv

Shqiptaret rrisin perdorimin e parase cash, 363.2 mld leke jashte bankave

Shqiptarët vijojnë që të përdorin në masë paratë në dorë për të bërë blerje të ndryshme.

 

Kjo është e dukshme nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë. Janë 363.2 mld lekë ose rreth 3 mld euro që kanë qarkulluar jashtë sistemit bankar gjatë muajit shkurt të këtij viti. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej dy dekadash për dy muajt e parë të vitit.

 

Gjatë shkurtit të vitit 2003 kur Banka Qendrore nisi publikim e të dhënave për paratë jashtë kanaleve financiare, në vend janë regjistruar vetëm 123.4 mld lekë duke pësuar thuajse dyfishim të shumës së parave që tashmë qarkullojnë CASH.

 

Në krahasim me shkurtin e një viti më parë në ekonominë shqiptare rezultojnë se janë 17.5 mld lekë më tepër jashtë bankave. Ekspertët e lidhin këtë situatë me informalitetin e lartë në ekonominë shqiptare e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.

 

Një tjetër faktor në favor të rritjes së parasë cash gjatë këtyre viteve mendohet të jenë edhe normat e ulëta të interesit që mund të kenë nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.

 

Banka e Shqipërisë e cilëson sfidë fenomenin e përdorimit të parasë fizike për të paguar shërbime apo blerë produkte të ndryshme, ndërsa jep alarmin se një situatë e tillë pengon efektin e politikave ekonomike.

 

Nisur nga kjo janë ndërmarrë një sërë masash për zgjerimin e numrit të individëve dhe kompanive që të përdorin paratë brenda sistemit bankar.

 

PARAJA JASHTË BANKAVE

Shkurt  2022     363,2 mld lekë

 

Shkurt  2021    345,7 mld lekë

Shkurt  2003    123,4 mld lekë./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat