Rritet tregtia e ushqimeve ne 2022, arrin rekordin e dekades
Tregtia e mallrave në muajit e parë të këtij viti ka ecur me ritme tejet pozitive, duke arritur shifra rekord e kapërcyer të dhënat e para pandemisë.
Vetëm në dy muajit e parë të vitit eksportet arritën në 72 miliardë lekë duke u rritur me 49%, ndërsa importet kapën shifrën e 124 miliardë lekëve. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2 muajit e parë të vitit kanë arritur në shifra rekord të dekadës së fundit edhe eksportet e importet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.
Konkretisht për muajit janar-shkurt 2022 eksportet e ushqimeve ishin në vlerën 6,314 miliardë lekë (51,9 mln euro), që është vlera më e lartë e arritur në 10 vitet e fundit. Eksportet e këtij grupi janë në rritje prej rreth 1 miliardë lekë në raport me vitin e kaluar.
Nga ana tjetër në shifra rekord kanë arritur edhe importet e ushqimeve. Mbi 20 miliardë lekë (164,7 milionë euro) është vlera e ushqimeve, pijeve joalkoolike dhe duhanit të importuar në dy muajit e parë të këtij viti me një rritje prej 4.3 miliardë lekësh në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo rritje e tregtisë të ushqimeve lidhet edhe me përmirësimin e eksporteve bujqësore, të cilat qeveria është zotuar se do ti çoj në 1 miliardë dollarë brenda këtij mandati. Ndërsa në raport me 2 mujorin e parë të 2021 eksportet bujqësore u rritën me 14%.
Nga ana tjetër ndikim në rritjen e vlerës monetare të tregtisë kanë dhënë edhe çmimet e rritura të ushqimeve si në vend ashtu edhe në tregjet e huaja, pasi e njëjta sasi malli këtë vit është blerë më shtrenjtë se vjet.
Ndërkohë shifrat e muajit mars do të jenë të dhënat e para që do të sjellin një panoramë të ndikimit të Luftës në tregtinë e mallrave.