OSHEE rriti te ardhurat ne 2021,10 per qind me shume se ne 2020
Pavarësisht rritjes së kostos së blerjes së energjisë për qëllime të furnizimit, gjatë 2021, një nga kompanitë e OSHEE Group shënoi edhe një rritje e të ardhurave.
Konstatimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, në raportin vjetor, që është siguruar nga TV SCAN. Sipas dokumentit, gjatë vitit të kaluar FSHU arkëtoi 59.52 mld lekë apo rreth 492 mln euro.
Në raport me vitin 2020, arëktimet janë rritur me 10%, duke sjellë një rritje të ardhurash prej rreth 45.5 mln euro për kompaninë publike të furnizimit.
Sipas ERE rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike erdhi si rrjedhojë e rritjes së konsumit nga klientët jo familjarë me rreth 17% dhe rritjes të konsumit nga klientët familjarë me 4%.
Ndërkaq, këto të ardhura tejkalojnë me mbi 3 mld lekë nivelin e të ardhurave të kërkuara nga Furnizuesi i Shërbimit Universal për vitin 2021, që sipas vetë kompanisë ishin 56,19 mld lekë.
Kjo, sipas aplikimit të dorëzuar nga FSHU pranë Entit Rregullator të Energjisë për çmimin e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për vitin 2021. Në këtë aplikim, FSHU kërkoi që çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë të mbetet i pandryshuar, duke mos aplikuar asnjë rritje.
Këto shifra vijnë në një kohë që qeveria shqiptare ka paralajmëruar një rritje të çmimeve të energjisë elektrike për një kategori konsumatorësh familjarë, që konsideohen si të pasur, por pa dhënë detaje sesi do të mund të aplikohet kjo skemë.
Gjithsesi vendimi për tarifat e energjisë merret nga Enti Rregullator i Energjisë, teksa ekspertët e sektorit kanë argumentuar se nuk ekziston asnjë tregues që të justifikojë një rritje çmimi për këtë kategori konsumatorësh./Burimi: Scan