Bashkia e Tiranes shtyn pagesat e taksave per biznesin e vogel
Në një kohë kur vendi është goditur nga rritja e çmimeve, Bashkia Tiranë ka marrë një vendim për të mbështetur në këtë krizë bizneset e vogla.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës për tarifën e pastrimit, taksën e tabelës dhe taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore për në datën 20 maj 2022.
Gjithashtu dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të parë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 20 maj 2022.
Këshilli miratoi dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të dytë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 31 korrik 2022.
Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ky është një lajm i mirëpritur për të gjitha bizneset. “Më duket diçka e arsyeshme, edhe për faktin se me kostot e rritura të disa shpenzimeve, siç mund të jetë nafta apo shpenzime të tjera, i jep biznesit një muaj frymëmarrje, për të mos i vënë nën presion për të kapur afatet.
Besoj se është lajm i mirëpritur nga të gjithë”, deklaroi Veliaj. Kjo nuk është nisma e vetme që ndërmerr Bashkia e Tiranës në ndihmë të bizneseve.
Gjatë pandemisë, Bashkia u erdhi në ndihmë duke shtyrë një pjesë të pagesave ose duke u falur disa të tjerë për periudhën kur ato kanë qëndruar mbyllur./Burimi: Shqiptarja.com