Strehimi social, gati strategjia 10 vjecare 2015-2025
Për herë të pare, strehimi social në Shqipëri projektohet në një strategji të posaçme. Pas më shumë se një viti pune, me asistencën e ekspertëve të PNUD (Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim), Ministria e Zhvillimit Urban ka përfunduar draft strategjinë për strehimin social 2015 – 2025.
Ditën e premte, nën drejtimin e Ministres, Eglantina Gjermeni u konsultua publikisht me grupet e interesit dhe partnerët vendas dhe të huaj, me praninë e Zv. Ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zj. Bardhylka Kospiri dhe Drejtores Ekzekutive të PNUD në Shqipëri, zj. Yesim Oruç. Ky dokument është hartuar pas dy studimeve që MZHU dhe PNUD kryen gjatë vitit 2014 në të gjithë Shqipërinë, për të evidentuar problematikën dhe mundësitë e zgjidhjes së plotë të situatës. Janë 35 mijë aplikantë, që deri më sot janë identifikuar si të pastrehë, 14% prej të cilëve kanë mundur të përfitojnë nga programet sociale të strehimit për periudhën 2005 – 2014. Për 10 vjeçarin e ardhshëm (2015- 2025), MZHU synon që të rritet më të paktën 50 – 70% numri i përfituesve nga programet sociale të strehimit. Ministrja e Zhvillimit Urban, zj. Eglantina Gjermeni në fjalën e saj, në takimin konstultativ evidentoi instrumentin, që do të përdoret për të arritur këtë synim.
“Kjo rritje do të realizohet përmes ri-orientimit të programeve të strehimit social drejt shtresave në nevojë dhe më vjen mirë të them, se kjo Draft Strategji i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të kapaciteteve të njësive vendore dhe forcimit të partneritetit publik – privat. për herë të parë në këto 25 vite, alokuam në buxhetin e vitit 2014 një fond të veçantë, dedikuar Programit për Përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin Rom dhe Egjiptian nëpërmjet zbatimit të projekteve të infrastrukturës në njësitë e qeverisjes vendore”, deklaroi ministrja Gjermeni.
Me ndarjen e re territoriale, një rol të rëndësishëm për Strategjinë e Strehimit Social 2015 – 2025 do të kenë 61 njësitë vendore, të cilat do të mobilizojnë burimet lokale. Aida Seseri, Drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Urbane dhe Strehimit, MZHU, tha se me ndarjen e re territorial do të bëhet edhe evidenca e re e personave të pastrehë në të gjithë vendin. Drejtorja ekzekutive e PNUD në Shqipëri, Yesim Oruç, vlerësoi punën e bërë për të parën Strategji të Strehimit Social, e në veçanti, vëmendjen e Qeverisë dhe MZHU për komunitetin Rom dhe Egjiptian si dhe të gjitha kategoritë që përfitojnë nga strategjia e strehimit./ Monitor