Pensionet ne rrezik, stoku i borxhit ne 2020 arriti 144 mln euro
Stoku i borxhit për sigurimet e papaguara shoqërore arriti në 17,7 miliardë (144 mln euro) në fund të vitit 2021 me një zgjerim 4.1% në raport me fundin e 2020.
Nga viti 2018 në 2021 borxhi ndaj sigurimeve është zgjeruar me 3,9 miliardë lekë, rreth 28.8%. Detyrimet në këtë zë mjaft sensitiv, përveçse po rriten me shpejtësi rrezikojnë të jenë një plagë e thellë sociale në vitet në vijim, pasi do të privojë punonjësit e sotëm nga pensioni i nesërm.
Nëse kjo shumë do të ishte derdhur në arkën e sigurimeve shoqërore do të ishte e mjaftueshme për indeksimin e pensioneve me inflacionin së paku 5 vitet në vijim.
Numri i debitorëve dhe shuma e detyrimeve të papaguara ndaj sigurimeve shoqërore po rritet ndjeshëm nga vitit në vit, megjithë masat shtrënguese në legjislacion pas shuarjes së detyrimeve në vitin 2014.
Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një inspektimi në skemën publike të pensioneve gjeti se, rritja e detyrimeve në vitin 2020 ishte sa 75 për qind e deficitit të skemës së pensionit të qytetit me një zgjerim 5 % në krahasim me vitin 2019.
Të dhënat tregojnë se 94 për qind të detyrimeve ndaj ISSH zotërohen nga sektori privat dhe kryesisht biznesit i madh me mbi 63 për qind të shumës dhe pjesë tjetër nga biznesi i vogël.
Entet publike zotërojnë rreth 6% të totalit të detyrimeve. Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta.
Në kushtet e mospagesës së sigurimeve buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë.
Të ardhurat nga kontributet shënuan rritje me 13.6% më 2021 dhe shpenzimet u rriten me 10.5 për qind, për rrjedhojë deficiti i skemës u thellua dhe subvencioni nga buxheti i shtetit u rrit.
Financimi i skemës publike të pensioneve nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2021 ishte 53 miliardë lekë me një rritje vjetore 5% sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Shpenzimet në vlerë për sigurimet shoqërore po rriten më shpejt se të ardhurat nga sigurimet, ndërkohë që presionet për rritje të shpenzimeve në vitet në vijim po shtohen nga plakja e popullsisë.
Gjatë periudhës 2010-2020 përfituesit në skemën e pensioneve u rriten me 22%, por ndërkohë pagesat pensioni mesatar për një pensionist është në rënie.
Në dekadat në vijim popullsia e moshuar rrezikon të përfundojë në varfri të thellë nga defektet në tregun e punës dhe grumbullimi i dobët të ardhurave nga kontributet./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/arka-e-pensioneve-ne-rrezik-stoku-i-borxhit-arriti-144-mln-euro/