Secondary Adv

Eurostat: Shqiperia ka cmimin me te larte te energjise ne Rajon

Teksa qeveria ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë, të dhënat e Eurostat tregojnë se në vendin tonë aplikohen çmimet më të larta, në krahasim me rajonin.

 

Sipas këtyre të dhënave, ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova aplikon çmimin më të lirë për familjet me 0.0606 euro/kwh, ndërsa pas saj vjen Serbia me 0.0791 euro/kwh.

 

Edhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnje & Hercegovina aplikojnë çmime më të lira për abonentët familjarë, me respektivisht 0.08 euro/kwh dhe 0.0875 euro/kwh. Mali i Zi dhe Shqipëria faturojnë konsumatorët familjarë me 0.098 lekë/kwh, duke u klasifikuar si vendet me çmimin më të shtrenjtë në rajon.

 

Prej disa ditësh qeveria shqiptare ka deklaruar se po përgatit shtrenjtimin e energjisë eletkrike për një kategori konsumatorësh, që konsiderohen si të pasur. Teksa, nga kongresi i Partisë Socialiste, kryeministri Rama paralajmëroi se do të kërkojë rikthimin e faturimit të energjisë me 2 fasha.

 

Kjo skemë nënkupton se faturimi, deri në një sasi të caktuar konsumi faturohet me një çmim më të ulët, ndërkohë që me kalimin e kësaj sasie, çmimi i energjisë rritet.

 

Më konkretisht, deri në 2014, fasha e parë arrinte deri në konsumin e 300 kwh, ku çmimi i energjisë llogaritej me 7.7 lekë/kwh, ndërsa çdo kilovat i konsumuar mbi këtë fashë llogaritej me 12.5 lekë.

 

Por, nga viti 2015 çmimi u unifikua, duke u përcaktuar në 9.5 lekë/kwh. Gjithsesi, në këtë çmim nuk përfshihet TVSH, që është në masën 20% e që i shtohet faturës së energjisë.

 

Aktualisht, ende nuk ka një aplikim zyrtar nga Furnizuesi i Shërbimi Universal, që është pjesë e OSHEE Group mbi kërkesën zyrtare dhe nivelin e ri që do të kërkohet. Megjithatë, aplikimi shqyrtohet nga Enti Rregullator i Energjisë, që vendos që ai pranohet apo refuzohet./Burimi: SCAN


Më të lexuarat