Numri i anëtarëve në skemat private pë pensioneve po njeh rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti.Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit Shtator, mbi 11.200 shqiptarë rezultonin anëtarë të skemave private të pensioneve.
Numri i pjesëmarrësve në fondet e pensioneve private është shtuar me gati tre mijë individë për nëntë muajt e parë të këtij viti.Ndonëse pjesëmarrja në këto fonde përfshin ende një pjesë të vogël të popullsisë, numri në rritje reflekton promovimin e këtyre skemave kryesisht nga shoqëritë tregtare, që e ofrojnë si benefit për punonjësit e tyre. Zakonisht, këto skema ndërtohen mbi kontribute të përbashkëta të derdhura nga punëdhënësi dhe punëmarrësi. Përmasat e tregut në kuptimin e totalit të aktiveve ngelen ende shumë modeste, për një vlerë totale prej 837 milionë lekësh ose rreth 6 milionë euro. Aktivet e fondeve private të pensioneve janë rritur me 33% gjatë këtij viti.
Kontributet për pensione private investohen pothuajse në masën 100% në instrumente financiarë me rrezik të ulët, si bono dhe obligacione qeveritare. Në treg vazhdojnë të veprojnë tre shoqëri administruese të fondeve të pensioneve. Pjesën më të lartë të tregut e mban “Sigal Pensions”, me 46% të numrit total të anëtarëve dhe 49% të totalit të aktiveve. Në rritje gjatë viti është “Sicred”, sidomos në drejtim të numrit të anëtarëve, ku kjo shoqëri është ngjitur e dyta në treg, me 31% të totalit të tregut.