BSH: Ulje e normes baze te interesit, rritja e ulet e ekonomise
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli pak ditë më parë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në minimumin e ri historik prej 1.75%. Guvernatori, Gent Sejko, argumentoi se ky vendim u mor për shkak të parashikimeve më pesimiste lidhur me kohën që do të kërkojë inflacioni për t’u kthyer në objektiv.
Sipas tij, projeksionet e rritjes ekonomike janë rishikuar në ulje, në nivelin 2.5% deri në 2.7% për vitin 2015. Ulja e ritmeve të rritjes ekonomike do të vonojë edhe kthimin e inflacionit në objektiv, që sipas Bankës së Shqipërisë do ndodhë vetëm në fillim të vitit 2018.Sipas Guvernatorit Sejko, politika monetare stimuluese do të mbështesë rritjen ekonomike dhe do të zbusë koston e reformave, por nuk mund të jetë kurrsesi zëvendësuese për reformat e domosdoshme strukturore.
Por, në përfundim të sondazhit të kësaj jave në faqen e internetit të RTV SCAN, shumica e pjesëmarrësve shprehen skeptikë se kjo ulje e normës bazë do të japë një impuls të ri për ekonominë.Në daljen e tij përpara mediave, Guvernatori Sejko tha se këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë. Aktiviteti ekonomik regjistroi rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë, duke rezultuar afër parashikimeve të Bankës Qendrore.
Rritja ekonomike u mbështet nga investimet dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Në të kundërt, konsumi privat u reduktua, si pasojë e forcimit të prirjes për kursim të familjeve. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të regjistrojë norma të ngjashme rritje edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në këtë periudhë do të udhëhiqet në masën më të madhe nga rritja e investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit tregtar.