KQZ apel per reformen zgjedhore, ja kur do te mbahen vendoret 2023
Zgjedhjet për 61 kryetarët e bashkive do të mbahen në një nga të dielat në periudhën mes datave 16 prill deri në 14 maj të vitit të ardhshëm.
Për Komisionerin Shtetëror, edhe pse jemi ende një vit larg afati është i shkurtër sa i përket ndryshimit të legjislacionit. Përmes një deklarate të dhënë për mediat Ilirjan Celibashi shprehet se partitë politike parlamentare dakordësuan krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore.
Ndaj duke theksuar se zgjedhjet nuk janë larg KQZ sjell në kujtesë të këtyre partive domosdoshmërinë për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, procedurat e nxjërrjes së rezultatit, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë online, përdorimi i fondeve publike në fushatë, digjitalizimi, janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar.
Por duket se pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kryetar i PD dhe debatet brenda selisë blu kanë pezulluar si komisionin e reformës zgjedhore ashtu edhe atë territoriale./Burimi: Oranews.tv