Secondary Adv

Ne 1 tetor nis Censi i Popullsise, ja kur pritet te zhvillohet Censi i Bujqesise

INSTAT ka theksuar se në 1 tetor të këtij viti do nisë zyrtarisht Censi i Popullsisë për të cilin gjatë 2021 u zhvilluan hallkat e nevojshme të parapërgatitjes.

 

Në raportin vjetor të INSTAT thuhet se ky Cens do të zgjasë 6 javë dhe se tashmë elementët për të cilët po kujdeset institucioni janë ato të teknologjisë dhe logjistikës mbi zbatimin.

 

Sipas INSTAT gjatë 2022 do të finalizohen të gjithë materialet e nevojshme për realizimin e Censit në Tetor 2022, si dhe do të vijojë puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censit dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse.

 

“Aktivitetet do të vazhdojnë me përditësimin e zonave specifike në terren të censit (ZC), objekte në ndërtim, të identifikuara gjatë përditësimit të hartave të kryer gjatë vitit 2021.

 

Gjithashtu, aktivitetet e hartave të cens në fazën e para-numërimit, gjatë dhe pas Censit do të vazhdojnë me kontrollet e cilësisë së të dhënave të ardhura nga terreni dhe përditësimin e gjeodatabazës, përditësimin e kufijve të Zonave të Censit,

 

gjeokodifikimin e njësive gjeografike, përgatitjen e hartave dixhitale të Zonave të Censit për të gjithë zinxhirin e stafit të terrenit – anketues, kontrollorë dhe mbikëqyrës,

 

krijimin e hartave ”smart” (geodatabase/map format) sipas kërkesave të Njësisë së Teknologjisë së Informacionit për tu testuar/aksesuar/integruar në aplikacionin e pyetësorëve të Censit” thuhet në raportin vjetor të Institutit të Statistikave.

 

Censi i Bujqësisë

INSTAT deklaron se pas përfundimit të censit të Popullsisë radha do të jetë e atij të Bujqësisë që do të zërë vend në vitin 2024. “Faza përgatitore për Censin e Bujqësisë ndikohet në terma kohorë dhe logjistik nga Censi i Popullsisë dhe Banesave.

 

Mbi këto baza, INSTAT, në mënyrë që të angazhohet plotësisht për të gjitha aspektet teknike dhe operacionale, nevojitet të shtyjë Censin e Bujqësisë në vitin 2024.

 

INSTAT, gjatë 2021, ka përgatitur një modul pyetjesh, të cilat janë testuar fillimisht në Pilotin e Cens-it të Popullsisë dhe Banesave ne 2021, si dhe do të përfshihen në pyetësorin e Cens-it 2022, me qëllim përditësimin e listës së fermave bujqësore, e cila do shërbejë si bazë zgjedhje për Cens-in e ardhshëm të njësive ekonomike bujqësore.

 

Për këtë arsye Cens-i i radhës i Bujqësisë është planifikuar të kryhet pas analizimit dhe përditësimit të bazës së zgjedhjes së të dhënave të gjeneruara nga Censi i Popullsisë dhe Banesave” thuhet në raport.

 

I njëjti nënvizon se parimisht gjatë këtij viti do të punohet për projektligjin që ka të bëjë me censin e bujqësisë dhe fermave bujqësore, i cili do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

 

“Projektakti do të mundësojë përafrimin e standardeve të reja, duke ndjekur rekomandimet e Programit Botëror për Censet e Bujqësisë 2020, si dhe do të shërbejë si akti bazë për nxjerrjen e akteve të tjera të karakterit operacional,

 

duke patur parasysh ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë, statusin e INSTAT si organi përgjegjës për mbarëvajtjen e Censit dhe rolin e organeve të vetëqeverisjes vendore” nënvizon INSTAT.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/instat-censi-nis-ne-1-tetor-brenda-vitit-gati-projektligji-per-ate-te-bujqesise/


Më të lexuarat