
Kriza e cmimeve, norma e inflacionit ne SHBA me e larta qe prej vitit 1981
Departamenti i punës njoftoi të martën se ҫmimet në SHBA u rritën me normat më të larta që nga viti 1981, me plot 8.5% deri në fund të muajit mars.
Shifra e fundit e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) – i cili mat çmimet e një shporte mallrash dhe shërbimesh – vjen pasi ai u rrit me 7.9% deri në muajin shkurt, ritmi më i shpejtë i inflacionit vjetor në 40 vjet.
I nxitur nga problemet e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit, nga rritja e madhe e kërkesës dhe e çmimeve të energjisë, inflacioni tani është në nivele të panjohura për SHBA që kur Ronald Reagan mori Shtëpinë e Bardhë nga Jimmy Carter.
Rritjet e çmimeve kanë prekur ҫdo gjë – kostot e qirasë, të gazit dhe të ushqimeve po sjellin shumë vështirësi për amerikanët me të ardhura më të ulëta.
Këto rritje përfaqësojnë një goditje të madhe për administratën e presidentit Biden, e cila ka shumë pak mundësi që të mbajë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.
Rritja e çmimeve të gazit është shkaktari kryesor i inflacionit. Indeksi i benzinës u rrit me 18.3% në muajin mars dhe përbën më shumë se gjysmën e rritjes mujore të të gjithë artikujve.
Çmimet e gazit kanë filluar të bien dhe disa ekonomistë e kanë konsideruar këtë si një shenjë që mund të tregojë se inflacioni ka arritur kulmin e tij. Indeksi i ushqimit u rrit me 1% në mars krahasuar me shkurtin dhe me 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Çmimet e frutave dhe të perimeve të konservuara u rritën me 3.8% nga shkurti në mars, çmimet e orizit u rritën me 3.2%, patatet me 3.2% dhe mishi i grirë me 2.1%.
Andrew Hunter, ekonomist për SHBA në Capital Economics, tha se çmimet e energjisë do të ulen në muajt në vijim dhe, sipas tij, kishte shenja që presionet e çmimeve janë duke u zbutur.
Por, ai shtoi se këto shifra ka të ngjarë të përforcojnë planin e Rezervës Federale për të rritur normat e interesit, teksa ajo përpiqet të ulë inflacionin. “Zyrtarët e Fed-it duken gjithmonë e më shumë në mbështetje të një shtrëngimi të politikës monetare.
Të dhënat e marsit duket se nuk do të ndryshojnë planet e tyre për të rritur normat e interesit me 50 pikë bazë në takimin e muajit të ardhshëm.
Megjithatë, kjo mbështet pikëpamjen tonë se, duke qenë se e patën të vështirë të kuptonin se rritja fillestare e inflacionit nuk ishte kalimtare, zyrtarët e Fed tani po tregohen më pesimistë se ҫ’duhet për periudhën kur do të fillojë rënia e inflacionit,” tha Hunter.
Shtëpia e Bardhë paralajmëroi përpara daljes së raportit se priste që shifrat nuk do të ishin pozitive.
Të hënën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se raporti i mëparshëm i departamentit të punës nuk kishte përfshirë shumicën e rritjes së kostove të naftës dhe të gazit që erdhën si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/inflacioni-ne-shba-arriti-shifren-8-5-ne-muajin-mars-norma-me-e-larte-qe-nga-viti-1981/
Më të lexuarat








