Indeksi i sipermarrjes globale, Shqiperia ne vendin e 76-te
Instituti Global për Zhvillimin dhe Sipërmarrjen ka nxjerrë edhe këtë vit “ Indeksin për sipërmarrje globale 2016”, në renditjen e së cilës Shqipëria pozicionohet e 76-ta në botë. Në krahasim me renditjen e një viti më parë, vendi ynë nuk ka bërë asnjë ndryshim.
Një ndryshim i bërë publik në këtë raport, është se tashmë studiohen 132 shtete, nga 121 të një viti më parë. Shqipëria është në mesin e vendeve me ngjyrë të verdhë, që tregon një të mesme nëperformancë, sipas parametrave të studiuar.Në rajon, vendi ynë renditet i parafundit, ku ka shfaqur performancë më të mirë se sa Bosnja Hercegovina, e cila renditet e 82-ta. Mali i Zi renditet i 54, ndjekur nga Maqedonia e 57, e Serbia e 74-ta. Shqipëria një vit më parë linte pas edhe Serbinë, e cila duket se ka përmirësim me dy renditje.
Ky indeks mat të dhëna për sa i përket sjelljes, aftësive dhe aspiratave të sipërmarrjes duke i peshuar ato kundër infrastrukturës sociale dhe ekonomike të çdo vendi, që përfshin edhe linjat e transportit me vendet e tjera, si dhe rrjetin e komunikimit. Indeksi i përgjithshëm përmban edhe 14 nën-indikatorë në bazë të kategorive të ndryshme.
Sipas nënkategorive, performancën më të dobët e jep pranimi i rrezikut, i ndjekur nga inovacioni i produkteve. Risku i kapitalit sakaq, mundësitë e reja të perceptuara për sipërmarrje dhe suporti kulturor ende çalojnë. Nga ana tjetër, perfomancën më të mirë e jep aftësia për të ngritur një start-up, por edhe nënkategori si kapitali njerëzor, internacionaliteti, rrjeti i komunikimit.Roli i sipërmarrjes globale drejton drejt një prosperiteti global, atë që të gjitha shtetet kërkojnë: rritje ekonomike, mjedis më i mirë, paqe njerëzore.