KLSH: Gjysma e tenderave me shkelje, kompanite cilesi te dobet punimesh
Në Shqipëri 54 përqind e tenderave janë me shkelje si në hartimin e prokurimeve ashtu dhe në cilësinë e punimeve, sipas KLSH.
Dëmi është i jashtëzakonshem edhe për faktin se llogaritja e çmimit shpesh është e gabuar. Më shumë se gjysma e tenderave të zhvilluara në institucionet shtetërore janë me shkelje.
Ky është alarmi që jep Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e përgatitur për vitin e shkuar. Përgatitja e dokumenteve dhe zhvillimi i procedurave janë konstatuar si pikat më problematike.
Në total ky institucion ka konstatuar se dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit të shtetit nga procedurat e prokurimit kap vlerën e 372 milionë lekëve ose e thënë ndryshe 3 milionë eurove dhe kjo shumë i përket vetëm 22 për qind të prokurimeve që është arritur të auditohen.
Evidentohet se zinxhiri i abuzimeve nis me planifikimin e projekteve dhe vazhdon me lidhjen e kontratave dhe deri në zbatimin e tyre ku nënvizohet edhe mungesa e cilësisë të mallrave që janë investuar.
Po ashtu ndryshe nga sa kërkohet në prokurime, KLSH shprehet se kapacitetet njerëzore të angazhuara në kontrata nuk janë gjithmonë profesionale.
Parregullësi janë konstatuar në mosplotësimin e kritereve të kualifikimit, në skualifikimet e ofertuesve, në ofertat anomalisht të ulta dhe tenderat me një pjesëmarrës dhe fitues njëkohësisht, çka kupton dhe mungesën e konkurencës apo kritere të vendosura qëllimisht.
Gjetje të tjera përfshijnë shkelje në hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit dhe llogaritjen e vlerës së kontratës./Burimi: Oranews.tv