Secondary Adv

Ministrja Gjermeni: Prioritet, legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale

Përfundimi i legalizimit të 200 zonave informale të identifikuara në Shqipëri, si dhe komunikimi profesional dhe i përhershëm me qytetarët janë prioritet për të sotmen dhe të ardhmen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe 18 zyrave rajonale të ALUIZNI-t.


Legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale janë dy procese, të cilat do të vijojnë të ecin paralelisht, si një risi në procesin e ndërhyrjes në territor dhe në kulturën ndaj zhvillimit të qendrave urbane, pjesë e programit qeverisës të rilindjes urbane. Me këtë mesazh, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni i kërkoi sot drejtorëve të 18 drejtorive rajonale të ALUIZNI-t në Shqipëri, të vijojnë ritmet pozitive me të cilat është ecur në këto 10 muaj, ku janë legalizuar 19.856 objekte.


Në takimin e zhvilluar sot, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI, Artan Lame, ministrja Gjermeni nënvizoi se, për t’i dhënë fund kaosit dhe sorollatjeve, që kanë rënduar ekonomikisht xhepat e qytetarëve shqiptarë u rishikua baza ligjore, duke sjellë në tavolinë dhe miratuar një ligj të ri për Legalizimet.


“Falë thjeshtimit të procedurave për paisje me leje legalizimi dhe rritjes së efiçencës së stafit në përpunimin e dosjeve kemi bërë të mundur, që në më pak se dy vite të legalizojmë 35 108 objekte, 81% e të cilave me funksion banimi dhe 19% me funksion biznesi, ndërkohë që nga qeveria e mëparshme në tetë vite u legalizuan 21 750 objekte, nga ku 70% objekte me funksion biznesi dhe vetëm 30% objekte me funksion banimi. Synimi ynë është që të mbajmë një ritëm prej rreth 40.000 familjesh të legalizuara në vit, që t’i përmbahemi premtimit tonë për legalizimin e zonave masive informale brenda këtij mandati qeverisës”, theksoi në fjalën e saj Ministrja Gjermeni.


Të ardhurat e realizuara nga ALUIZNI në vetëm një vit janë në vlerën një miliard e nëntëqind milionë Lekë. Kjo e ardhur është mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë për katër mijë e nëntëqind e dyzet e katër parcela ndërtimore të zëna nga ndërtimet pa leje.Por, krahas legalizimit të zonave informale, ministrja Gjermeni tha se, mbetet akoma shumë punë për të bërë dhe veçanërisht në kuadër të procesit të legalizimit në kontekstin e integrimit të ndërtimeve informale në realitetin urban, ku situata e ndeshur është më komplekse si p.sh ndërtimet në zonat arkeologjike, ato të rrezikuara nga përmbytjet apo zonat me burime natyrore të naftës.


Në takimin me drejtorët rajonalë të ALUIZNI, ministrja Gjermeni disa herë nënvizoi, se në çdo moment duhet dhënë maksimumi i profesionalizmit të specialistëve në terren në komunimimin më qytetarët e zonave informale, duke qenë kështu dera e duhur, ku jo vetëm ata paraqesin shqetësimet e tyre, por ku gjejnë bashkëpunimin për të çuar çdo problem drejt zgjidhjes.Në takim u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave pas sulmeve tragjike terroriste në Paris.


Më të lexuarat