Tjeter financim per Rindertimin, fonde shtese per banesat dhe shkollat
Këshilli i Ministrave ka kaluar sot disa vendime që lidhen me rindërtimin.
Zv. Kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë me dije se vijon financimi në Kavajë e Durrës. “Ne vazhdojmë të financimin dhe rikonstruksionin e Kavajë dhe të Durrësit. Vetëm në Durrës bashkia pas vlerësimeve të Institutit të Ndërtimit ka kërkuar edhe 16 mln dollarë për të mbyllur edhe të gjitha rikonstruksionet.
Sot kemi marrë vendim edhe për shkollat. Po vazhdojmë rindërtimin edhe me shkolla më të vogla. Procesi i rindërtimit tashmë është në fazë shumë të avancuar”, tha ai.
Ahmetaj u pyet gjithashtu se në ç’fazë është qeveria me miratimin e legalizimit të hashashit për përdorime farmaceutike. Ai tregoi se aktualisht ndodhen në fazë diskutimesh me shtete më të zhvilluara e shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete.
“Këshillimi Kombëtar është një risi. Mënyrë e re e qeverisjes pas ligjit që ne kaluam në Kuvend disa muaj më parë për platformën e bashkëqeverisjes. Nëpërmjet Këshillimit Kombëtar kemi shtuar instrument publik.
Pas rezultateve të Këshillimit Kombëtar, qytetarët dhe pjesëmarrja ka qenë shembullore, ata kanë marrë vendime së bashku me qeverinë për çështje të rëndësishme. Ato janë në analizë të plotë me institucionet. Ka elementë.
Ka çështje të luftës kundër evazionit fiskal, që ka të bëjë me deklarimin e pagave. Kjo gjë është domethënëse. Ka edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me kanabisin mjekësor.
Jemi duke u konsultuar me shumë shtete të zhvilluara, se si funksionon kjo rëndom në vendet e Evropës dhe Rajonit. Sigurisht me këtë konsultim do të maturojmë shumë shpejt draftligjin dhe do të vijojmë procesin”, tha Ahmetaj./Burimi: Shqiptarja.com