Secondary Adv

FMN: Rritja ekonomike ne Kosove me e uleta ne 10 vitet e fundit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një projeksion për bruto-produktin vendor pret që Kosova të rritet për vetëm 2.8 për qind këtë vit.

 

Nga projeksioni i mëhershëm në muajin tetor të vitit 2021, parashihej që rritja të ishte 4.5%. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që prodhimi vendor bruto (GDP) i Kosovës të rritet për 2.8% këtë vit, duke e zvogëluar për 1.7 për qind parashikimin e bërë në tetor.

 

Rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9% vitin e ardhshëm dhe në 3.5% më 2027, tha FMN në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, publikuar të martën.

 

Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5%, sipas raportit. Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5% më 2022 nga 3.3%, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3% më 2023, tha FMN.

 

Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1% si përqindje e GDP më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9% më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7% më 2023.

 

FMN-ja pret që GDP e zonës së Evropës në zhvillim, ku përfshihen edhe Rumania, Turqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të ulet për 2.9% më 2022 para se t’i kthehet një rritjeje prej 1.3% më 2023.

 

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë të kushtueshme humanitare, e cila kërkon zgjidhje paqësore. Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes globale më 2022 dhe shtim të inflacionit.

 

Çmimet e ushqimit dhe naftës janë rritur shpejt, duke i goditur më së shumti popullsitë e ndjeshme në shtetet me të ardhura të ulëta”, theksoi FMN. Në raportin “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të sapopublikuar, FMN parashikon që ekonomia në Shqipëri do të rritet ketë vit me vetëm 2%.

 

Për Malin e Zi vlerësimi është 3.8, për Bosnjë Hercegovinën 2.4%, për Kosovën 2.8%. Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje prej 3.2%. Më pak pritet ta ndiejë luftën Serbia, që vlerësohet se do të zgjerohet me 3.5% këtë vit dhe do të përshpejtohet në 4% vitet në vijim.

 

“Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social”,  u shpreh kryeministri Albin Kurti më 12 prill, kur kishte vendosur të ndante nga 100 euro për shumë kategori sociale në vend.

 

Vitin e kaluar, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 9.5% sipas raportit, por fatkeqësisht njëjtë kishte ndodhur edhe me rritjen e çmimeve bazike (po 9.5 për qind) sipas FMN-së.

 

Për herë të fundit që FMN kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fmn-per-kosoven-rritja-ekonomike-per-vitin-2022-me-e-uleta-ne-10-vitet-e-fundit/


Më të lexuarat