Pavaresisht zerimit te tarifave, vetem 0.35 per qind jane makina elektrike
Pavarësisht zerimit të tarifave të regjistrimit, përdorimi i makinave elektrike në vend është tejet modest në raport me numrin e përgjithshëm të mjeteve me karburant.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, deri në muajin mars 2022 në vendin tonë rezultojnë të regjistruara 2 588 makina elektrike.
Në këtë shifër përfshihen edhe ato automjete që janë hibride, apo thënë ndryshe të kombinuara edhe me naftë apo benzinë. Ndërkohë që, në raport me numrin total prej 752,970 të mjeteve aktive në vend, këto autovetura përbëjnë vetëm 0.35% të totalit.
Vendimi për rimbursimin e tarifave të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike u ndërmor nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në nëntor të vitit 2019.
Këtu përfshihen tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik, lejen e qarkullimit, targat standarde dhe certifikatën e pronësisë, me një vlerë totale prej 7 500 lekësh.
Kjo masë lehtësuese u soll në vëmendje edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë një ditë më parë, e cila kërkoi “braktisjen” e makinave me karburant dhe blerjen e automjeteve elektrike nga ana e qytetarëve.
Ndërkaq, zerimi i tarifave është mirëpritur nga ekspertët e mjedisit, të cilët kanë thënë më herët për TV SCAN se politikat për uljen e ndotjes duhet të orientohen drejt këtij lloj transporti.
Megjithatë, sipas tyre rimbursimi i tarifave prej 7500 lekësh është simbolik dhe për këtë arsye kanë kërkuar marrjen e masave të mëtejshme për të stimuluar blerjen e mjeteve elektrike./Burimi: SCAN