Secondary Adv

Deshton dialogu Kosove-Serbi, nuk arrihet marreveshja per targat

I dërguari i posaçëm i BE Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që ditët në vijim të takohen sërish për të diskutuar për çështjen e targave të makinave.

 

"Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren", porositi Lajçak përmes një postimi në Twitter. Pas takimit trepalësh, kryenegociatori i Kosovës, Bislimi tha se marrëveshja për targat nuk u arrit për shkak të "mosgatishmërisë" së Serbisë.

 

"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim.

 

Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi, pas një takimi trepalësh në Bruksel.

 

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

 

Deklaratat e Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak. Pas takimeve bilaterale me kryenegociatorët, Miroslav Lajçak ka arritur t'i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

 

Bislimi tha po ashtu se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.

 

"Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit", tha Bislimi.

 

Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia. "Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale", tha Bislimi.

 

Targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, si ‘KM’ (Mitrovicë), të cilat janë më së shumti në numër, ose ‘PR’ (Prishtinë), ‘PZ’ (Prizren), ‘GL’ (Gjilan) lëshohen nga autoritetet serbe dhe ato përdoren vetëm në veriun e Kosovë, ku popullsia serbe është shumicë.

 

Këto targa, Kosova i konsideron të paligjshme, por lëvizja me to në veri të Kosovës kohëve të fundit është lejuar nga autoritetet në Prishtinë. Bislimi po ashtu tha se në takimin me kryenegociatorin serb, Beogradi tregoi "se nuk do zgjidhje".

 

"Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë.

 

Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses", shtoi Bislimi.

 

Petar Petkoviç, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo kosovare nuk ishin takuar së bashku që nga vera e kaluar, për shkak të mosgatishmërisë për arritjen e ndonjë përparimi në procesin e dialogut.

 

Petkoviç: Vazhdon regjimi me letra ngjitëse

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, regjimi i mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa do të vazhdojë.

 

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi.

 

Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai. Ai akuzoi Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim për çështjen e targave./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat