
Rivleresimi i pronave po perdoret per pastrim parash. Ekspertet: Te gjurmohet transaksioni i blerjes
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme nuk është shfrytëzuar vetëm nga qytetarët dhe bizneset për të afruar vlerën e pronës me çmimin e tregut, por është përdorur si kamuflazh nga persona të ndryshëm për të pastruar para.
“Për prona të regjistruara formalisht në nivele minimale shumë larg kushteve të tregut përdorin procesin e rivlerësimit si një mënyrë për t’ju afruar vlerës së tregut në rastin e një transaksioni të ri në të ardhshmen por themelore është që paratë ekzistojnë dhe i legjitimojmë ato”, thotë Zef Preçi.
Skema nis fillimisht me një marrëveshje, për ta blerë pronën formalisht me çmim reference që është më i ulët se vlera e tregut. Në mënyrë informale blerësi i jep shitësit shumën reale të kësaj prone. Hapi dytë është rivlerësimi. Prona përmes këtij procesi merr vlerën e tregut. Hapi i fundit është shitja e pronës me çmimin e ri nga rivlerësimi.
“Nëse çmimi i referencës në X zonë është 65 mijë lekë të reja, çmimi i tregut kalon deri në 1200 euro metri katror dhe njerëzit për të shmangur pagesën e tatimit të fitimit bëjnë këtë pjesë. Ose kur nuk i kanë paratë e deklaruara bëjnë marrëveshje ta bëjnë blerjen me çmim reference dhe më pas kalohet në procedura të tjera”, pohon Ervin Demirxhiu vlerësues i pasurive të paluajtshme.
Nëpërmjet kësaj skeme, shtetasi X pastron paratë e tij duke blerë një pasuri, të cilën më pas e rivlerëson duke i rrit vlerën, dhe e shet duke bërë që të ardhurat që do të fitojë nga këto transaksione të jenë shumë fish më të larta, dhe të jenë me burim të ligjshëm .
Por pse përdoret rivlerësimi për të legjitimuar paratë e paligjshme?
Prej vitit 2020 në vend ka nisur rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, që ju jep mundësinë qytetarëve të afrojnë vlerën e pronës me çmimin e tregut duke paguar vetëm 3% tatim mbi fitimin dhe jo 15% sa është në kushte normale.
Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor në momentin e shitjes ai nuk paguan më këtë vlerë por vetëm 600 euro, sepse tatimi që paguan pas rivlerësimit zbret në 3%.
Çfarë mund të bëhet për ta ndaluar?
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se zgjidhja e vetme në një situatë të tillë është gjurmimi i transaksionit që në blerjen e pronës. “Themelore është që qeveria duhet të krijoj të gjitha lehtësirat që transaksionet të kryhen përmes noterëve, përmes sistemit bankar dhe njëkohësisht agjencitë ligjzbatuese duhet të operojnë në momentin e blerjes dhe jo në momentin e rivlerësimit çka do të thotë që nëse kryhet një transaksion jashtë kushteve të tregut, detyrimisht duhet të jetë një sistem alarmi dhe të jetë subjekt i monitorimi të rreptë për të ndjekur transaksionin dhe gjurmimin e burimit”, thotë Zef Preçi. Nëse gjurmohet transaksioni i parë, gjetja e burimit të parave dhe shmangia e pastrimit të parave do të ishte më e thjeshtë.
Më të lexuarat








