Secondary Adv

Ngadalesimi i rritjes ekonomike rrezikon planet per uljen e borxhit

Një rritje reale ekonomike mbi 4 për qind është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë.

 

Shqipëria do t’i qëndrojë larg këtyre ritmeve të rritjes edhe për disa vjet, duke vështirësuar planet e financave për ulje të borxhit në afatin e mesëm…
Pritshmëritë për rritjen ekonomike për 2015 kanë ardhur vazhdimisht në ulje përgjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë nga 3 për qind  e rishikoi në mes të vitit në 2.7 për qind dhe së fundmi në 2.5 për qind. Edhe për afatin e mesëm, parashikimet janë pesimiste. “Në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë”, thuhet në raportin më të fundit të BSH-së. Ndryshe e mendon qeveria, që pret një rritje prej 3.4 për qind në 2016 dhe 4 për qind në 2017.


Ekspertët e financave dhe të institucioneve ndërkombëtare kanë vlerësuar se duhet një rritje rreth 4 për qind ose më e lartë për të mundësuar uljen e borxhit në afatin e mesëm, që pritet të zbresë në 69 për qind të PBB-së në 2017 dhe 65.8 për qind në 2018, sipas programit më të fundit buxhetor afatmesëm. Por, nëse ekonomia nuk rritet me ritmet e pritshme, kjo do të vështirësonte planet e financave për uljen e borxhit në afatin e mesëm.

 


Aftësia për të ulur borxhin mund të futet në një një rreth vicioz
Aftësia e qeverisë për të reduktuar borxhin varet nga një sërë faktorësh, në veçanti madhësia e borxhit në raport me PBB-në, normat e interesit të paguara për atë borxh në krahasim me ritmet e rritjes ekonomike dhe madhësia e balancës primare të buxhetit (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit). Në rast se norma e interesit e paguar për borxhin publik është më e lartë se norma e rritjes së ekonomisë, atëherë stoku i borxhit qeveritar do të rritet si peshë ndaj PBB-së, përveçse në rast se qeveria do të arrijë të ketë një suficit buxhetor parësor. Sa më i madh që të jetë stoku i borxhit, aq më i madh duhet të jetë ky suficit. Si rrjedhojë vendet me deficite të mëdha parësore, stoqe të mëdha të borxhit dhe një diferencë të madhe midis normave të interesit dhe ritmeve të rritjes ka të ngjarë të jenë më të brishtë. Shqipëria planifikon të dalë me suficit parësor vitin e ardhshëm, me rreth 0.3 për qind të PBB-së, sipas programit afatmesëm, një hap i parë i qëndrueshëm ky drejt uljes së madhësisë së borxhit.


Por, ngadalësimi i rritjes ekonomike sugjeron se Shqipëria mund të futet në një rreth vicioz në të ardhmen afatmesme.
Nga njëra anë, ritmet e rritjes ekonomike pritet të jenë të ulëta, të paktën deri në 2017 (sipas BSH-së). Financimi privat i ekonomisë, një tjetër element që konsiderohet i rëndësishëm për të nxitur rritjen, është pothuaj inekzistent, me bankat që janë përqendruar në menaxhimin e kredive me probleme, që kanë ngecur mbi 20% dhe rritjen e kredisë, sidomos për bizneset, që është negative për 9 mujorin. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta dhe pritshmëritë po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë.


Dhe nëse ekonomia (PBB nominale) nuk arrin të rritet më shpejt se borxhi, kjo do t’i detyronte financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor, apo dhe të rrisin taksat për të siguruar më shumë të ardhura. Kjo do zgjaste ciklin e uljes së borxhit, duke e çuar atë drejt kufijve të paqëndrueshmërisë dhe duke vonuar konsolidimin fiskal.


Më të lexuarat