Secondary Adv

Rusia largohet nga Agjencia e OKB per Turizem Boteror

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror ka votuar për të pezulluar Rusinë për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë.

 

Pjesa më e madhe e 160 vendeve anëtare të Agjencisë kanë përkrahur vendimin, por nuk dihet numri i saktë. Mocioni ka kërkuar dy të tretat e votave.

 

Para votimit për pezullim, Rusia ka bërë të ditur se po largohet nga agjencia. “Statuset janë të qarta: promovimi i turizmit për paqe dhe respektim universal të të drejtave të njeriut.

 

Vetëm vendet anëtare që respektojnë ato mund të jenë pjesë e Agjencisë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i këtij trupi, Zurab Pololikashvili. “Veprimet do të kenë gjithmonë pasoja. Paqja është e drejtë themelore e njeriut.

 

E garantuar për të gjithë. Pa përjashtime”, ka thënë mes tjerash ai. Ministria e Jashtme ruse ka thënë se vendimi është i motivuar politikisht, prandaj Rusia e konsideron jolegjitim.

 

“Është vlerësuar që votimi është nxitur nga propaganda anti-ruse”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Agjencia për Turizëm Botëror, nuk do të ndikojë këtë sektor në Rusi.

 

“Sektori i turizmit, sidomos turizmi i brendshëm, do të vazhdojë të zhvillohet. Edhe mundësitë për turizëm të jashtëm janë të hapura, varësisht nga situata e konkurrencës dhe cilësia”, ka thënë ai./Burimi: REL


Më të lexuarat