
Ne 2016, nuk ka shtese pagash dhe fondesh sociale
Asnjë lekë shtesë për pagesat e papunësisë dhe ndihmën ekonomike. Shtohet fondi i shpërblimeve të administratës, rritet më shumë se dy herë zëri për ish-pronarët. Investimet e infrastrukturës, në ulje.
Shpenzimet – Totali i shpenzimeve publike është planifikuar në ulje, 452.1 miliardë lekë, nga 456.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2015
Energjia – Projektbuxheti i vitit 2016 në sektorin e energjisë parashikon një financim total prej 2.3 miliardë lekësh investime.
Infrastruktura – Fondet për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës do të jenë vitin e ardhshëm 23.9 miliardë lekë ose 32.1% më të ulëta.
Shëndetësia – Për shëndetësinë parashikohet një financim total prej 2.3 miliardë lekësh, që përfshin investime në shërbimin spitalor.
Pagat – Zero lekë është vlera e zërit “Politika të reja pagash”, ku parashikohet mbështetja e ndryshimeve të rrogave
Shpërblimet – Këtë vit ka një rritje të fondit të shpërblimeve që quhet ndryshe “Fondi i veçantë i pagave”, që është 400 milionë lekë.
Bujqësia – Sektori i bujqësisë parashikon një financim në masën 5.2 miliardë lekë, që e vendos këtë fushë si prioritetin kryesor.
Shkollat – Për sektorin e arsimit janë ndarë 3.5 miliardë lekë. Nga këto, 1.5 miliardë lekë mbulojnë ndërtimin e 51 shkollave dhe kopshteve.
Policia – Për sektorin e punëve të brendshme janë në plan 2.2 miliardë lekë. ndër të tjera financohet policia për blerje kamerash dhe armësh.
Kultura – 642 milionë lekë është financimi i Kulturës, që përfshin rehabilitimin e disa teatrove dhe rregullimin e çatisë së ish-Kinostudios.
Kush përfiton nga buxheti i vitit 2016? Sipas prezantimit të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, përfitojnë rajonet, përfiton biznesi me ulje taksash, ndërkohë që thellohen reformat e nisura. Por, nëse do ta konkretizonim sipas zërave, shpenzimet tregojnë se pensionet parashikohen të rriten më pak se këtë vit. Lidhur me pagat nuk është caktuar ndonjë lek për zërin “politika të reja pagash”, ku parashikohen rritje të rrogave të administratës. Për ndihmën ekonomike, për paaftësinë, nuk është caktuar asnjë lek më shumë se sa këtë vit. Po ashtu, për pagesën e papunësisë, për kompensimin e shtresave në nevojë për energjinë nuk ka asnjë lek më tepër se sa vitin e kaluar. Në qoftë se do të shihnim sektorët prioritarë, arsimi ka ulje të shpenzimeve, ndërsa shëndetësia është trajtuar disi më mirë me rritje fondesh. Më shumë para janë planifikuar për pushtetin vendor, ku një pjesë e shtesës është thjesht transferim funksionesh.
Fondet sociale
Këto shpenzime qeveria i quan fonde speciale. Këtu përfshihen shpenzimet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kompensimi në vlerë të ish-pronarëve, të cilat kapin një vlerë prej 152.6 miliardë lekësh. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2016, parashikohet në masën 113.3 miliardë lekë ose 7.4% e PBB, nga e cila për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.17 miliardë lekësh. Ky fond për vitin 2015 ka qenë 1.2 miliardë lekë, pra qeveria ka bërë një reduktim të vogël. Kjo shtesë është afërsisht e barabartë me nivelin e inflacionit mesatar vjetor. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016 janë parashikuar në masën 36.2 miliardë lekë ose 2.4% e PBB. Përfituesit e mëdhenj të këtij buxheti janë ish-pronarët. Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në Vlerë të Pronarëve, parashikohen në masën prej 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB. Vitin e kaluar ky fond ishte 1.4 miliardë lekë. Shpenzime të tjera sociale janë fondet për pagesën e papunësisë, aftësinë e kufizuar, ndihmën ekonomike dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Megjithëse numri i personave që humbin vendin e punës vjen në rritje (vetëm në shtator-tetor 2015, sipas Tatimeve, u deklaruan të pushuar nga puna 73 mijë vetë), shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në të njëjtin nivel sikurse dhe vitet e kaluara, në masën 1 miliard lekë. Edhe shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin e këtij viti. Duke i shtuar fondin për kompensimin e energjisë për shtresat në nevojë (1.6 miliardë lekë), ndihma ekonomike shkon në 20.5 miliardë lekë. Në këtë grup shpenzimesh edhe ish të përndjekurit kanë një fond po aq sa në vitin në vijim, por 200 milionë lekë më tepër se sa në vitin 2014. Pra, 2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB është destinuar për dëmshpërblimet e kësaj shtrese.
Subvencionet
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.6 miliardë lekë, ose 176 milionë lekë më pak se viti në vijim. Këtu futen mbulimi i një pjese të shpenzimeve të hekurudhave dhe të ujësjellësve, mbështetja e industrisë së fasonit, subvencionimi i librit për një kategori të caktuar të nxënësve, por edhe veprimtaria e shërbimeve qeveritare. E pabesueshme do të ishte që qeveria të shkurtonte paratë për shërbimet e saj, ndërkohë që ka më shumë mundësi që më pak para të jenë në plan për librat.
Shpërndarja
Bashkitë – Buxheti vendor, pas kalimit të disa funksioneve, si arsimi, zjarrfikësit, etj., rritet 19%.
Investimet – Investimet janë 5% e PBB (75.5 mld lekë), përfshirë fondin e rajoneve 10 mld lekë dhe 5 mld lekë hua për energjetikën
Projektet – Vlerësohet se 84,9% e vlerës së investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim
Më të lexuarat








