Njohja e patentave nga Gjermania, Ambasadori: Ja si do behet konvertimi
Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko ka sqaruar procedurat si do të bëhet konvertimi i patentës shqiptare.
Në një intervistë për Deutsche Welle, diplomati shqiptar thotë se verifikimi do të bëhet nga autoritetet gjermane, ndërsa theksoi se ata që e kanë marrë dokumentin pas vitit 2017 e konvertojnë automatikisht.
“Ata që e kanë marrë para vitit 2017 do t’u nënshtrohen verifikimit, pasi të kenë kontaktuar autoritetet gjermane. Autoritetet gjermane kontaktojnë autoritetet shqiptare dhe bëjnë autentifikimin e dokumenteve të paraqitura”, tha Kuko.
Zoti Ambasador, në fillim të muajit prill në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje për njohjen e konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve, kjo falë edhe angazhimit tuaj.
Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë hyn në fuqi më 1 qershor 2022, ndërkohë që disa lande kanë filluar t’i njohin patentat e Shqipërisë. Lande të tjera, si Berlini për shembull, ende nuk kanë nisur procesin e plotë të njohjes.
A do të thotë kjo se më 1 qershor është e sigurt që nis zyrtarisht procesi i njohjes?
Është më shumë se e sigurt që të gjitha landet, duke filluar nga 1 qershori i këtij viti, do të fillojnë me njohjen dhe konvertimin e patentave shqiptare.
E theksoj edhe një herë: vetëm për ata që plotësojnë kushtin themelor, pra, vetëm ata që janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës Federale Gjermane.
Mënyra si funksionon është: Ai që ka nevojë për konvertimin e lejes së drejtimit paraqitet te organet gjermane. Ata që e kanë marrë dokumentin pas vitit 2017 e konvertojnë automatikisht.
Ata që e kanë marrë para vitit 2017 do t’u nënshtrohen verifikimit, pasi të kenë kontaktuar autoritetet gjermane. Autorietet gjermane kontaktojnë autoritetet shqiptare dhe bëjnë autentifikimin e dokumenteve të paraqitura./Burimi: Balkanweb