Secondary Adv

Rajoni me tre Kryeministra shqiptare, Abazovic ne krye te Malit te Zi

Për herë të parë një shqiptar është në krye të qeverisë së Malit të Zi.

 

Dritan Abazoviç u zgjodh sot kryeministër me 45 vota pro, ndërsa kundër votuan vetëm deputetët socialdemokrat. Nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre drejtohen nga shqiptarë.

 

Abazoviç ka festuar me këngë shqiptare, ndërsa nuk kanë munguar as urimet nga politika shqiptare. Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.

 

Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

 

Për kabinetin e Abazoviçit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve,

 

boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.

 

Qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor, theksoi kryeministri Abazoviç.

 

Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës të mbështetur nga DPS-ja.

 

Këto parti, së bashku me lëvizjen URA të Abazoviçit dhe SNP-në, kanë qenë në pushtet që nga zgjedhjet e gushtit 2020, kur pas tri dekadash e zhvendosën DPS-në në opozitë.

 

Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ajo shumicë parlamentare u shpërbë dhe anëtari më i vogël i saj, partia URA e Abazoviçit, hyri në procesin e formimit të një qeverie të pakicës me mbështetjen e DPS së Gjukanoviçit.

 

Prandaj, Fronti Demokratik dhe Demokratët e akuzojnë Abazoviçin se ka tradhtuar vullnetin elektoral të qytetarëve dhe kërkojnë zgjedhje të reja.

 

Abazoviç tha në fjalimin e tij të enjten se ai dëshiron të bashkojë fraksionet kundërshtare të Malit të Zi nën një vizion të "një kombi demokratik, pa korrupsion dhe ekonomikisht të begatë që do të bëhet pjesë e BE-së 27-anëtare".

 

“Ne kemi një mundësi përpara nesh që nuk duhet ta humbasim”, tha Abazoviç. “E ardhmja jonë është evropiane”./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat