Secondary Adv

160 mln leke tender per eficencen e energjise, projekti perfshin 20 qytete

Me fond limit prej 160 mln lekësh, Agjencia e Eficencës së Energjisë ka hapur disa tenderë që kanë në fokus auditimin energjetik të ndërtesave, në disa qytete të vendit.

 

Në total janë 20 qytete, ku parashikohet të kryhet auditimi i ndërtesave shumë familje të ndërtuara përpara viteve ’90, duke nisur nga Shkodra, Malësia e Madhe, Kukësi, Elbasani, Fieri, Durrësi, etj.

 

Ndërkohë që, Tepelena dhe Korça janë 2 qytetet, ku përveç auditimit do të kryen edhe ndërhyrjet konkrete me qëllim kursimin e energjisë. Sipas dokumenteve të tenderit, në Tepelenë janë 5 pallate ekzistues, ku do të ndërhyhet, ndërsa në Korçë do të jenë 3 ndërtesa.

 

Agjencia e Eficencës së Energjisë argumenton se kërkesa për energji për stokun e ndërtesave në Shqipëri përbën një sfidë të veçantë, duke shtuar se në 2017, konsumi përfundimtar i energjisë në sektorin e ndërtesave private dhe publike së bashku, ishte përgjegjës për 70% të sasisë së energjisë elektrike në konsumin përfundimtar të energjisë.

 

“Në këtë kuadër, duke parë peshën e madhe që ka konsumi i stokut të ndërtesave në vend, projektet konkrete ku investohet në eficencën e energjisë janë të një rëndësie të veçantë”,-thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.

 

Investimi në termoizolim, është një nga rekomandimet që japin ekspertët për reduktimin e konsumit të energjisë, duke siguruar jo vetëm përfitime financiare, por edhe një jetesë komode për qytetarët.

 

Hapja e këtyre tenderëve vjen në një kohë kur qeveria ka deklaruar se parashikon të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë për ato familje që konsumojnë mbi 700 kwh/në muaj, si një formë për të kursyer energjinë./Burimi: Scan


Më të lexuarat