Secondary Adv

BSH: Cmimet e banesave u rriten me 9 per qind vitin e kaluar

Blerja e një shtëpie u bë më e vështirë në vitin e kaluar, për shkak se çmimet u rritën me 9%.

 

Banka e Shqipërisë raporton se vetëm në Tiranë, apartamentet u shtrenjtuan me 12.3%.

 

Si pasojë e çmimeve të larta më shumë se 30% e banesave u blenë me kredi nga qytetarët.

 

Pasuria kryesore e shqiptarëve është shtëpia. Një vrojtimi kryer nga Banka e Shqipërisë tregon se 90% e familjeve në vend janë pronarë të një banese, që në të shumtën e rasteve e kanë përfituar pas vitit 1996.

 

Por të bëhesh pronar i një apartamenti në vitet e fundit është bërë shumë e vështirë për shkak të çmimeve tejet të larta. Prej vitit 2015 çmimet e shtëpive kanë njohur një rritje të lartë, ndërkohë banka qendrore raporton se vetëm në vitin e kaluar apartamentet u shtrenjtuan me 9% në raport me vitin 2020.

 

Rritja më e madhe është konstatuar në kryeqytet me 12.3%, ndërsa në bregdet sipas vrojtimit çmimet kanë rënë. Agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme presin rritje të çmimeve edhe për 2 vitet e ardhshme.

 

Ndikim në këtë rritje të çmimeve vlerësohet të kenë dhënë kostot e shtuara të ndërtimit, që u rritën me 3%, të ndikuar më së shumti nga materialet e ndërtimit më të shtrenjta.

 

Si pasojë e vlerës së lartë që duhet shpenzuar për të blerë një apartament 1/3 e pronave janë blerë me kredi, duke marrë në konsideratë dhe kushtet lehtësuese dhe normat e ulta të interesit që bankat ndjekin për kredi për shtëpi.

 

“Rreth 30% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në gjysmën e rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

 

Nga ana tjetër duke vlerësuar dhe rëndësinë e këtij tregu, banka po punon për të pasur më shumë të dhëna mbi zhvillimet demografike apo sipërfaqet e disponueshme në ndërtim.

 

Kjo lëvizje vjen në kushtet kur ecuria e çmimeve në atë treg është e paqëndrueshme. Sipas bankës çmimet në treg nuk reflektojnë kërkesën dhe ofertën për prona, prandaj duhet të monitorohen me kujdes rreziqet që paraqet tregu./ Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat