Secondary Adv

Bujqesia ne krize, importet e zarzavateve u rriten me 46 per qind

Vështirësitë që po kalon sektori bujqësor po ndikojnë në rritjen e importeve të prodhimeve bujqësore, sidomos zarzavateve.

 

Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e parë të vitit 2020 u importuan mbi 18 mijë tonë zarzavate, me një rritje 46.7% në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

 

Zarzavatet, që përfaqësohen kryesisht nga domatet dhe patatet janë produktet që kultivohen më së shumti në vendin tonë.

 

Mirëpo rritja e kostove në sektorin bujqësor prej çmimeve të lëndëve të para nga njëra anë dhe mungesa e subvencioneve nga ana tjetër po lënë shumë sera dhe fusha djerrë, duke bërë që vendi ti kthehet varësisë nga importet.

 

Përveç zarzavateve, edhe sasia e frutave të importuara u rrit me 15% në tremujor. Importet e mishit u rriten gjithashtu me 10%. Numri i krerëve të bagëtive ka rënë me 20% në 5 vitet e fundit dhe hendeku që po krijohet në treg po mbulohet nga importet.

 

Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në rritjen e importeve të produkteve të bulmetit, të cilat pësuan rritje vjetore në sasi me 15 % në janar-mars 2022. Nga ana tjetër volumet e importeve të plehrave kanë pësuar rënie drastike në tremujor, me mbi -75%.

 

Burimet nga tregu pohuan se, shkak u bë rënia e kërkesës nga fermerët. Kërkesa për plehra është aq e ulët sa grosistet kanë rieksportuar në Rajon rezervat që kishin në magazina.

 

Fatkeqësitë e shpeshta natyrore, për shkak të ndryshimeve klimatike, amullia në politikën fiskale, kostot e larta dhe mungesa e fuqisë punëtore janë shndërruar në probleme që po çojnë sektorin bujqësor në rënie, shpjegojnë ekspertët e bujqësisë.

 

Vetëm këtë vit, serat u dëmtuan dy herë nga kushtet klimatike – një herë nga përmbytjet e nëntorit 2021 dhe një herë prej ngricave të janarit 2022. Kostot e larta të inputeve janë shqetësimi më i madh aktualisht.

 

Çmimi i një kuintali ure është rritur me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë janë rritur që nga çmimet e farave, fidanëve, plastmasës, hekurit, plehrave dhe pesticideve.

 

Këto rritje ndodhën në një kohë kur prodhuesit kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe.

 

Në mes të këtyre vështirësive, në paketën fiskale 2022 qeveria hoqi stimujt fiskalë, duke taksuar me 10% TVSH inputet që para 1 janarit 2022 ishin 0% dhe gjithashtu u hoq kompensimi me 6% i TVSH.

 

Burimi: https://www.monitor.al/kriza-ne-bujqesi-importet-e-zarzavateve-rritje-me-46-ne-3-mujorin-e-pare/


Më të lexuarat