Secondary Adv

Kosova mund te riktheje lejimin e importit te makinave te vjetra

Qeveria e Kosovës është duke diskutuar lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

 

Zyrtarë të saj kanë thënë për REL se “në kuadër të analizave për shikimin e politikave tatimore, janë duke e trajtuar një opsion të tillë”. Por, ata nuk kanë dhënë detaje se cila është arsyeja e ndryshimit të mundshëm të Ligjit për automjete.

 

Neni 44 i këtij ligji, që është miratuar qysh në 2017, thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

 

Mbështetësit e ligjit kanë thënë në atë kohë se veturat e vjetra e ndotin ambientin, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave. Përmbysjen e këtij ligji e kundërshtojnë tani ekspertë të fushës së komunikacionit dhe ambientit.

 

Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit Tempulli në Prishtinë, njëherësh njohës i çështjeve të komunikacionit, thotë se Kosova, nëse inkurajon importin e automjeteve të vjetra, do të shndërrohet në “deponi të lëvizshme të Evropës”.

 

“Kjo do t’i ndihmonte disa shtete të Bashkimit Evropian që t’i pastrojnë rrugët e tyre nga automjetet e vjetra dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuonte në ndotjen e mëtutjeshme të rrugëve të reja të Kosovës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

 

Disa vende të Evropës, përfshirë Parisin, Berlinin, Stokholmin, Londrën, kanë ndërmarrë masa të ndryshme për kufizimin e automjeteve të vjetra. Disa, madje, janë zotuar se do t’i ndalojnë automjetet me naftë të qarkullojnë në qendrat e qyteteve deri në 2025.

 

Krasniqi thotë se është mirë që Kosova të nisë të ndërmarrë masa për krijimin e infrastrukturës për transportin e gjelbër, përkatësisht për automjetet elektrike.

 

Automjetet elektrike lëvizen nga një ose më shumë motorë elektrikë, që përdorin vetëm energjinë e ruajtur në bateri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Prishtinë, që datojnë nga dhjetori i kaluar, në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 395,840 vetura.

 

Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotjen zero ndaj ambientit. Numri më i madh i veturave është i atyre që përdorin naftën për djegie – saktësisht, 329,403 të tilla.

 

Ndikimi në shëndet

Shqetësimet për ndikimin që kanë ndotësit e shkarkuar nga automjetet e vjetra dhe motorët me naftë në shëndetin e njeriut, janë rritur viteve të fundit.

 

OBSH vlerëson se miliona vdekje çdo vit lidhen me ekspozimin e njerëzve ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm. Kosova, në matjet e organizatave të ndryshme, shpesh është renditur në mesin e vendeve me ajrin më të ndotur në botë.

 

Në ndotjen e ajrit në Kosovë, përveç termocentraleve që djegin thëngjillin për prodhimin e energjisë elektrike, ndikojnë edhe emetimet nga automjetet, thonë ekspertët e mjedisit.

 

“[Importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet], aga aspekti mjedisor, do ta rëndojë situatën, konkretisht do ta ndotë ajrin shumë më shumë se që e kemi aktualisht”, thotë Zeqir Veselaj, ekspert për çështje të mjedisit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

 

Në vitin 2018, ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për ndalimin e importit të veturave të vjetra mbi 10 vjet, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë propozuar ndryshime dhe plotësime në këtë ligj.

 

Arsyetimi i tyre në atë kohë ka qenë që t’iu mundësohet edhe qytetarëve me kushte më të vështira ekonomike që të blejnë vetura – meqë sa më e vjetër vetura, aq më e lirë.

 

Lidhur me këtë propozim ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se ndryshimi i ligjit do të ishte në kundërshtim me normat e BE.

 

Sipas Veselajt, ideja se lejimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet do t’i ndihmojë qytetarët të blejnë vetura, do të ketë kosto të lartë për mjedisin nëse materializohet.

 

“Çdo motor, sa më i vjetër të jetë në përdorimin e tij, efiçencën e djegies së karburantit e ka më të dobët. Djegia më e dobët e karburantit nënkupton shkarkime më të mëdha ndotëse në ajrin ambiental që ne po e thithim”, thotë Veselaj.

 

Doganat e Kosovës bëjnë të ditur se qytetarët vazhdojnë të blejnë më shumë vetura të përdorura, sesa të reja.

 

Sipas të dhënave që mbulojnë periudhën janar–Prill 2022, numri i veturave të përdorura të importuara në Kosovë është 7,056, ndërsa i veturave të reja 931.

 

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit thotë se për të pasur siguri në komunikacion është shumë e rëndësishme gjendja teknike e automjeteve. Sipas tij, ndryshimet ligjore “janë kompetencë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”./Burimi: Telegrafi


Më të lexuarat