Fatkeqesite natyrore, bien me 15 per qind sigurimet e prones ne 2022
Sigurimet nga zjarri e katastrofat natyrore kanë shënuar ulje të ndjeshme në tre muajt e parë të këtij viti, në të kundërt të trendit të viteve të mëparshëm.
AMF raporton se në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar-mars 2022, vihet re një ulje prej 15.38% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli
dhe një rritje me 4.67% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2021. Trend krejtësisht i ndryshëm nga viti i mëparshëm, kur ky zë shënoi një rritje të fortë.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë 2021, u regjistrua një rritje prej 32.73% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.88% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2020.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2022 siguruan mbi 839 mln lekë të ardhura, apo rreth 8 mln dollarë në total, ku vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 67.19%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 23.27% të totalit.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2022 kapën vlerën 4,2 miliardë lekë, apo afërisht 42 milionë dollarë, ose 5.97% më shumë se në janar-mars 2021.
Gjatë periudhës janar-mars 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 247,576 me një rritje prej 21.99% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.51% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.45%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.57% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.43% të totalit të tregut./Burimi: SCAN