Perballimi i kostove, rritet kerkesa per kredi nga bizneset
Për të përballuar kostot e aktivitetit dhe për të përshtatur biznesin me kërkesat e tregut, 42% e ndërmarrjeve morën hua në vitin 2021.
Ndërkohë bizneset thonë se problemet me konkurrencën, vështirësitë në gjetjen e tregut dhe mungesa e punonjësve po dëmtojnë aktivitetin e tyre.
Dalja nga izolimi, rikthimi në aktivitet normal si dhe kostot e reja i kanë shtyrë sipërmarrjet në vend që të marrin borxh për të përshtatur aktivitetin e tyre me kushtet e reja që diktoi pandemia.
42% e ndërmarrjeve të pyetura nga BSH, kanë deklaruar se kanë një hua për të paguar në momentin e plotësimit të pyetësorit vitin e kaluar. Shkaku kryesor se përse i janë drejtuar huamarrjes, bizneset thonë se ka qenë për financimin e veprimtarisë së tyre.
77% e subjekteve thonë se vlera e huasë është sa 50% e kapitalit të tyre, 12% janë përgjigjur se borxhi është sa të ardhurat e tyre dhe vetëm 11% e bizneseve të pyetura pohojnë se huaja që kanë është më e lartë se vlera totale e kapitalit.
Edhe për 6 mujorin e parë të këtij viti bizneset kanë raportuar se kërkesa do të jetë e lartë për kredi. Mungesa e plotë e konkurrencës dhe vështirësitë në gjetjen e tregut janë 2 problemet kryesore që evidentuan bizneset e pyetura gjatë vrojtimit të kryer në gjashtëmujorin e dytë të 2021.
Sipas konkluzioneve pavarësisht se shitjet vjet u rritën, përsëri nuk arritën nivelin e para pandemisë. Faktorë të tjerë që kanë vështirësuar punën e bizneseve janë rritja e kostove të prodhimit, përshtatja me ligjet si dhe mungesa e punonjësve të kualifikuar.
Sa i takon tregut të punës, vështirësitë janë më evidente gjatë këtij viti, pasi thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kërkojnë punonjës të kualifikuar në kushtet kur emigracioni është në rritje./Burimi: Shqiptarja.com