Bie cmimi i naftes ne bursa, pse ne Shqiperi vijon te jete e shtrenjte
Që prej datës 29 prill 2022, qytetarët shqiptar po paguajnë 243 lekë për çdo litër naftë, 233 lekë për benzinën dhe 106 lekë për gazin.
Për naftën këto janë çmimet më të larta pas atyre që u regjistruan në muajin mars, kur përpara se të ngrihej bordi i Transparencës 1 litër naftë arriti deri në 270 lekë. Në të njëjtat nivele luhatej edhe benzina.
Kjo rritje e çmimit për konsumatorët shqiptarë vjen në kushtet kur çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare është luhatur poshtë vlerës prej 111-112 dollar fuçia, ndërsa në muajin mars çmimi në bursë arriti deri në 127 dollar fuçia. Ditën e sotme nafta bruto në bursën ndërkombëtare po luhatet nga 109-112 dollarë fuçia.
Por cilat janë shkaqet, pse nafta është më e shtrenjtë tashmë që bursa ka çmime më të ulta?
Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve i ngritur më 13 mars, uli çmimin e naftës deri në 203 lekë për litër, por 2 javë pas ngritjes ndryshoi akti normativ,
ku u përcaktua që pjesë përbërëse e çmimit të karburantit përveç kostove të transportit dhe taksave do të jenë edhe luhatjet e kursit të këmbimit, si dhe u rrit marzhi i fitimit për kompanitë e këtij sektori.
Konkretisht në aktin e parë normativ fitimi i kompanive ishte 1% për shumicën dhe 5% për pakicën, në lekë fitimi për shumicën dhe për pakicën arrinte 6-7 lekë për litër.
Ndërsa në aktin e dytë normativ marzhi i fitimit për shumicën u caktua 3 lekë për litër, dhe për pakicën 12 lekë për litër. Me këtë lëvizje që erdhi si pasojë e humbjeve që kompanitë e karburantit raportuan pranë bordit, çmimi për qytetarët u rrit automatikisht me 7-8 lekë për litër.
Përpos luhatjeve në bursë, dhe kostove të transportit, çmimit të karburantit iu shtua edhe rritja e marzhit të fitimit. Faktor tjetër që po ndikon në rritjen e çmimit të tij është kursi i këmbimit, kjo për shkak se dollari gjatë muajit prill është forcuar ndaj lekut deri në 5 pikë.
Konkretisht, nëse dollari në 1 prill këmbehej me 109.94 lekë, në datat 28 dhe 29 prill arriti përkatësisht në 115.18 lekë dhe 114.56 lekë. Në të njëjtat vlera po luhatet edhe këtë fillim muaji.
Forcimi i dollarit përkundrejt monedhës vendase ndikon në shtrenjtimin e naftës, pasi ky produkt blihet në monedhën evropiane dhe amerikane, e për pasojë bizneset duhet të japin më shumë lekë për të blerë produktin./Burimi: Shqiptarja.com