Secondary Adv

Shkrihen 43 kompani ujesjellesish, qeveria synon krijimin e 15 shoqerive

Qeveria ka propozuar krijimin e 15 shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, nga 58 kompani që janë aktualisht.

 

Shifra bëhet me dije nga Enti Rregullator i Ujit, që gjithsesi specifikon se ky propozim nuk është miratuar ende përfundimisht. Reduktimi i numrit të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nënkupton bashkimin e e ujësjellësve ekzistues, në kompani më të mëdha.

 

Ndërkohë që, tashmë ekziston edhe një projektvendim i Këshillit të Ministrave që përcakton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zotërojë 51% të aksioneve të Subjekteve me Kompetenca të Përbashkëta, që do të jenë pikërisht kompanitë e krijuara nga agregimi i ujësjellësve.

 

Dokumenti është publikuar më herët nga TV SCAN dhe përcakton hapat që do të ndiqen për për Riorganizimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit, Trajtimit dhe Përpunimit të Ujërave të Ndotura.

 

Aktualisht, aksionet e ujësjellësve zotërohen në masën 100% nga bashkitë ku ato ushtrojnë aktivitetin, ndërkohë që sipas propozimit të qeverisë, Njësitë e Qeverisjes Vendore, që do të lidhin marrëveshje për riorganizimin e shoqërive që janë në pronësi të tyre do të zotërojnë jo më shumë se 49% të aksioneve.

 

Automatikisht, me krijimin e këtyre strukturave shkohet edhe drejt centralizimit të sektorit, duke reduktuar kompetencat e bashkive.

 

Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin e qeverisë, kjo reformë vjen për shkak të performancës së dobët komerciale e kombinuar me nivele të larta të ujit pa të ardhura që arrijnë në 65.5%, ndërsa humbjet financiare dhe borxhet e kompanive janë të larta./Burimi: SCAN


Më të lexuarat