Secondary Adv

Edhe tarifimi i ujit me fasha, bizneset 2-fish me shtrenjte se familjet

Enti Rregullatori i Ujit propozon vendosjen e fashave të tarifimit, duke kërkuar që çmimi të jetë më i lartë për çdo litër ujë që tejkalon sasinë prej 150 litra/banor.

 

Kjo skemë është e ngjashme me atë që qeveria po synon të rikthejë për energjinë elektrike, teksa kreu i ERRU-së, Ndriçim Shani thotë se sipas përllogaritjeve, një qytetar konsumon mesatarisht 100 litra ujë në ditë.

 

Megjithatë, mbetet e paqartë sesi do të bëhet përllogaritja e litrave për banor, duke qenë se pagesat e ujit bëhen mbi bazë kontrate dhe jo individësh.

 

Ndërkaq, metodologjia e re tarifikimit të ujit parashikon gjithashtu, që për klientët publikë dhe ata privatë shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve të aplikojnë çmime 2-fish më të larta, ndërsa për ndotësit e mëdhenj, 3-fish më shumë.

 

Të dhënat u bënë me dije gjatë prezantimit të metodologjisë së re të përllogaritjes së tarifave të ujit, të miratuar në fund të vitit të kaluar nga Enti Rregullator i Ujit.

 

Kjo metodologji përfshin vendosjen e tarifave nën metodën “çmimi tavan”, që parashikon që nga pagesat e ujit, të mbulohen jo vetëm nevojat për të ardhura të shoqërisë, për mbulimin e kostove të operimit, por edhe mbulimin e kostove të investimeve që kryhen nga ujësjellësit./Burimi: SCAN


Më të lexuarat