Rikonstruktohet dogana e Kakavijes, hapet tenderi 31.3 mln leke
Pika doganore e Kakavies do t’i nënshtrohet rikostruksionit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka shpallur tenderin 31.3 milionë lekë që synon realizimi i disa strukturave të pavaruara nga njëra tjetra por të ndërlidhura si nga ana arkitektonike dhe strukturore me strukturat ekzistuese.
Referuar dokumenteve të tenderit, korpusi i doganës së Kakavies përbëhet nga një ndertesë 2 katëshe me 2 orientime kryesore të kateve perdhe. Projekti parashikon që bashkëngjitur me objektet ekzistuese të realizohet një strukturë shtesë, konkretisht në pjesen veriore dhe jugore.
Gjithashtu kërkohet realizimi i disa mbulesave në zonat ku pritet të qendrojnë autobuzët e udhëtarëve, në ndalesë dhe në dalje, raporton SCAN.
Projekti propozon krijimin e hapësirave të reja për stacionimin e autobuzëve në pikat hyrëse dhe dalëse të godinave ku do të kryhet procesi i verifikimit të udhëtarëve.
Këto vendqendrime parashikohen të shoqërohen dhe me mbulesa që lidhen me objektet e reja, ku do të kryhet kontrolli.
Objektet e tjera që do riformulohen në zonë janë edhe kabinat e kontrollit kufitar, që parashikohen të zhvendosen, për të zgjeruar korsinë e kalimit të automjeteve, e cila nuk permbush parametrat minimale për kalimin e autobuzëve.
Shqiperia ka 31 Pika të kalimit kufitar në kufirin e gjelbër, 7 në kufirin blu dhe 1 në kufirin ajror. Pika e Kontrollit Kufitar Kakavie në Gjirokastër është ndërtuar në vitin 1986.
Gjatë vitit 2019, është kryer rikonstruksioni i fasadave, dyerve, dritareve dhe ambienteve të brendëshme sanitare. Aktualisht, Pika e Kalimit Kufitar Kakavie nuk i plotëson standardet e Shengen-it dhe as praktikat më të mira evropiane në këtë fushë.
Rritja e vëllimit të numrit të qytetarëve dhe automjeteve në këtë pikë ka sjellë nevojën për zgjerimin e vijës së kontrollit dhe hapësirave për kontrollin e udhëtarëve./Burimi: SCAN