Secondary Adv

4 impiante fotovoltaike ne zonen e Korces, ERE nis procedurat e licencimit

ERE nisi së fundmi procedurat për licencimin në prodhimin e energjisë për katër impiante fotovoltaikë me kapacitet të instaluar deri në 2MW në zonën e Korçës.

 

Bëhet fjalë për kërkesat e shoqërive Korça Photovoltaic Park sh,.p, NTSP sh.p.k, Tren Sun System dhe San Beat System të cilat kanë aplikuar për t’u licencuar në prodhim energjie.

 

Këto impiante i përkasin grupit të koncesioneve atipike që miratohen vetëm me firmë nga Ministra përgjegjëse për energjinë pa pasur nevojë për të shkuar në qeveri. Kjo procedurë është e njëjtë si për impiantet eolike deri në 3MW.

 

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur që për secilën prej kompanive të nisë procedurën për licencim duke nënvizuar plotësimin e dokumentacionit të bërë nga secila prej tyre si dhe saktësime apo plotësime për dokumente të munguara.

 

Një ndër elementët që ERE ka kërkuar për të katërta shoqëritë është ajo lidhur me saktësimin e kapacitetit që sipas përllogaritjes së njësive të instaluara rezulton më i lartë se 2 Mw.

 

“Shoqëria duhet të plotësojë të dhënat për centralin prodhues dhe emrin e centralit, sipas kërkesave të formatit përkatës.

 

Po ashtu, shoqëria ka vendosur si datë të fillimit të operimit 04.04.2022, ndërkohë që aplikimi i saj është paraqitur po në këtë datë në ERE dhe është ende në proces licencimi, ndaj do t’i kërkohet shoqërisë të bëjë saktësimet përkatëse.

 

Gjithashtu do t’i kërkohet të bëjë saktësim edhe në lidhje me numrin e njësive gjeneruese, dhe kapacitetit të secilës, pasi nga të dhënat që ka përcjellë rezulton se 15 njësi x 175 kW është e barabartë me 2625 kW, çka kalon edhe kufirin +10% të kapacitetit prej 2000 kW, për të cilin kërkon të licencohet thuhet në vendimet e ERE.

 

Aplikimet për impiante deri në 2MW kanë qenë të vazhdueshëm pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe janë një ndër format më të shpeshta drejt të cilave janë orientuar bizneset.

 

Qeveria përmes një skeme që synonte nxitjen e këtyre impianteve miratoi pak vite më parë kuadrin ligjor ku mundësohej blerja e energjisë me një çmim që miratohej çdo vit nga ERE. Për herë të fundit ky çmim u rishikua në 2019 duke u lënë në rreth 72 euro/MWh.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kater-impiante-fotovoltaike-ne-zonen-e-korces-ere-nis-procedurat-per-licencimin-ne-prodhim/


Më të lexuarat