Secondary Adv

Ushqimet baze u rriten deri ne 24 per qind, te varferit ne mbijetese

Shpenzimet e familjeve për blerjen e produkteve bazë të shportës, si bukë, vaj, bulmet dhe sheqer, janë rritur me ritme dyshifrore në prill nga 14 deri në 24%.

 

INSTAT raportoi se ritmet e rritjes së çmimit të bukës u intensifikuan më tej gjatë prillit, teksa çmimet ishin 16.7% më të larta se prillin e kaluar. Rritjen më të lartë e pësoi çmimi i vajit, i cili muajin e kaluar ishte 24.2 për qind më e i lartë se vjet në prill.

 

Pas vajit rritja më e lartë ishte për çmimet e vezëve dhe të bulmetit me rreth 17%. Çmimet për këto produkte po rriten ndër tjerash prej problematikave që po kalon sektori i blegtorisë ku po vihet re një rënie e madhe numrit të krerëve vitet e fundit.

 

Ndërkohë gripi që ra këtë pranverë në pularitë më të mëdha në vendit në Durrës uli ndjeshëm ofertë për vezë në treg duke ndikuar në rritjen e çmimit. INSTAT raportoi se çmimet e ushqimeve në prill u rriten mesatarisht 10% më shumë se i njëjti muaj i vitit të kaluar.

 

Por BB në një vlerësim të fundit për ecurinë ekonomisë në Rajonin e Ballkanit vuri në dukje se inflacioni zyrtar në Shqipëri pasqyron më shumë inflacionin e të pasurve teksa inflacioni i të varfërve (20% e popullsisë) që jeton me të ardhura të ulëta paguan një faturë më të shtrenjtë se raportimet zyrtare.

 

Familjet e varfra në Shqipëri çojnë gati 60 për qind të buxhetit mujor për konsumin e ushqimeve, ndaj shtrenjtimi i tyre më shumë gjasë do të përkeqësojë mbijetesën e tyre.

 

Shqipëria ka rreth 640 mijë njerëz që jetojnë ne varfri, me më pak se 5.4 USD në ditë, duke e renditur vendin tonë me nivelin më të lartë me varfërinë më të madhe në Rajon ndonëse me rënie të djeshme nga viti 2020.

 

Përveç artikujve ushqimor çmimi i karburanteve në prill u rit me mbi 22%. Kjo rritje përveç efekteve negative tek përdoruesit ndikon gjerësisht tek të gjithë konsumatorët duke rritur çmimet e prodhimit dhe shërbimeve që përdorin si lëndë të parë naftën dhe gazin.

 

Çmimet e mallrave, sidomos të shportës së ushqimeve pritet të jenë të larta edhe gjatë periudhës afatmesme për shkak të deformimit të zinxhirëve të furnizimit fillimisht nga pandemia Covid-19 e pastaj nga lufta në Ukrainë.

 

Shtetet kudo në botë po miratojnë paketa ndihme për të amortizuar goditjet e valës së çmimeve tek shtresat në nevojë, por qeveria shqiptare për shkak të rendimentit të ulët fiskal dhe borxhit të lartë nuk po mundet të shpërndajë fondet e nevojshme në një gamë të gjerë të popullsisë që vuan nga varfëria.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/te-varfrit-ne-mbijetese-buka-vaji-bulmeti-dhe-sheqeri-rritje-vjetore-nga-14-24-ne-prill/


Më të lexuarat