Forumi ekonomik nderkombetar: Shqiperia renditet e 70 ne listen globale per barazine gjinore
Forumi ekonomik ndërkombëtar, në raportin e vitit 2015 tregon se Shqipëria gjendet e 70-ta në listën globale për hendekun gjinor. Nën skanim këtë vit janë 145 ekonomi botërore. Mirëpo, krahasuar me rajonin, shqiptarët nuk i “trajtojnë” femrat aq mirë.
Serbia është 25 shkallë mbi vendin tonë, Maqedonia e 69-ta, i vetmi shtet që lëmë pas është Mali i Zi, i cili renditet 9 shkallë poshtë nesh. Çudi përbën rasti i Greqisë, ku ka një performancë më të ulët në barazi gjinore se sa vendi ynë, i renditur në vendin e 87-të. Sipas raportit më të fundit të Forumit ekonomik ndërkombëtar, Shqipëria gjendet e 70-ta në rang global për hendekun gjinor, e krahasuar me një vit më parë, vendi ynë ka përmirësuar 13 vende, megjithatë gjendet e parafundit për tregues pozitiv në rajon.
Vendet nordike konsiderohen sërish “ajka” e shoqërive demokratike, ku për herë të dytë, Islanda mban vendin e parë. Në fund të listës gjenden edhe këtë vit, Siria, Pakistani dhe Jemeni, që lidhet jo vetëm me konfliktet, por edhe zakonet e rrepta tradicionale, citon raporti. Kjo renditjeështë realizuar duke pasur në konsideratë disa kritere: gjendja shëndetësore e grave, e drejta e tyre arsimore, pjesëmarrja e tyre në politikën dhe ekonominë e vendit dhe mënyra si trajtohet, si mbijeton etj.
Ndonëse raporti tregon se ballkanaset janë të diskriminuara nga punëdhënësit dhe shpesh viktima të një kulture, që lejon dhunën në familje, hulumtuesit pohojnë se barazia gjinore po përmirësohet çdo ditë edhe më shumë, pa lënë mënjanë edhe realitetet regresive. Për Shqipërinë, e ndarë sipas kritereve, për pjesëmarrje në ekonomi, renditemi në vendin e 69 nga 145 shtete, për edukim në vendin e 98-të, për kujdesin shëndetësor, të 142-të dhe për pjesëmarrje në politikë, e 50-ta.