Secondary Adv

SWOT: Pika e forte e biznesit, taksa e sheshte 10 per qind

Qeveria ka tashmë një strategji të zhvillimit të biznesit dhe investimeve që përfshin vitet nga 2014 në 2020. Në fakt këtë e ka rikujtuar edhe një herë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila e ka ripublikuar edhe një herë në faqen e saj në internet në datë 12 nëntor.


Deri këtu gjithçka duket në rregull dhe nuk është gabim që dokumente të rëndësishëm të publikohen në faqen e ministrisë por ka diçka që nuk shkon. Kjo lidhet me analizën që bëhet brenda në strategji. Në faqen 16-17 të dokumentit që mban statusin “draft” bëhet një analizë e thelluar mbi pikat e forta, të dobëta, kërcënimet dhe mundësitë e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend. E njohur gjerësisht si analiza SWOT kur vjen puna tek pikat e forta nënvizohet se një e tillë është reforma fiskale dhe citohet:  Taksa e sheshtë 10 për qind për të ardhurat personale dhe të ardhurat e korporatave.


Kur lexon këtë dy mendime të vijnë: ose dokumenti nuk flet për Shqipërinë ose qeveria nuk mban dot ritmin me taksat që vendos vetë për t’i pasqyruar ato dhe në dokumente strategjikë. Kjo patjetër nuk përjashton mundësinë e një gabimi njerëzor por “gabime” të tilla trashanike në këto raste janë plotësisht të patolerueshme.


Sot qeveria ka një taksim të përshkallëzuar për të ardhurat personale që nis me zero për shkallën deri në 30 mijë lekë , 13 për qind për i të ardhurat mbi 30 mijë deri në 130 mijë lekë dhe 23 për qind për të ardhurat mbi nivelin 130 mijë. Sakaq taksa për korporatat nuk është më 10 për qind por 15 për qind.
Por ajo që nxjerr edhe më keq situatën është që stategjia e publikuar së fundmi në 12 nëntor, mban si datë të saj majin e 2014 kur në fakt ndryshimet e taksave janë bërë në fund të 2013 me paketën e parë fiskale të miratuar nga qeveria Rama. Ndoshta qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik duhet t’i hedhin një sy më shumë dokumenteve që nxjerrin në mënyrë që të mos zhgënjejnë ndonjë investitor potencial që edhe mund t’i besojë.


Më të lexuarat