Secondary Adv

Ndalimi i qeseve plastike, percaktohen institucionet monitoruese

Qeset plastike, që do të sekuestrohen si pasojë e shkeljes së ligjit që ndalon prodhimin, tregtimin apo importimin e tyre, do të riciklohen.

 

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin, që parashikon procedurat dhe institucionet përgjegjës për kontrollin dhe ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në vend, nga data 1 qershor e këtij viti.

 

Sipas dokumentit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do monitorojë zbatimin e detyrimit për tregtimin e qeseve plastike, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është struktura kryesore përgjegjëse për ndalimin e importimit apo futjes në territorin e Shqipërisë të këtyre produkteve.

 

Ndërkaq, mbikëqyrja e aktivitetit të prodhimit është lënë në në dorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

 

Ky dikaster do të duhet të organizojë edhe fushata ndërgjegjsuese mbi parashikimet ligjore për ndalimin e prodhimit, përdorimit, importit dhe futjes së qeseve plastike në vendin tonë, si dhe do të ndjekë procedurat deri në lidhjen e kontratës për riciklimin e qeseve të sekuestruara.

 

Po ashtu, do të jetë AKM që edhe do të arkëtojë të ardhurat nga riciklimi, duke synuar mbulimin e kostove të transportit apo magazinimit të qeseve.

 

Data 1 qershor e këtij viti do të shënojë hyrjen në fuqi të ligjit që ndalon qeset plastike e më konkretisht qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme me trashësi jo më pak se 70 mikron.

 

Ndërkohë që, për shkelësit e këtij detyrimi janë parashikuar edhe gjoba. Kështu, çdo person që hedh në treg, prodhon, importon apo fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse, gjobitet nga 1 000 000 – 1 500 000 lekë.

 

Ndërkohë që, çdo person që i përdor këto qese do të gjobitet me 30 -100 mijë lekë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat