Sistemi i sigurise publike, hapet tenderi ne bashkine e Vlores
Rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Vlorës do të monitorohen me kamera të rezolucionit të lartë.
Bashkia e Vlorës ka shpallur tenderin me vlerë 8.3 milionë lekë që parashikon krijimin e infrastrukturës së nevojshme për sistemin e sigurisë publike.
Instalimi i kamerave në rrugët kryesore të qytetit do të përqendrohet te hapësira e rrugës duke identifikuar qartë lëvizjen e makinave, identifikimin e tyre me ‘Lexues Targash’ dhe drejtimin final të tyre.
Përkatësisht, në çdo kryqëzim do të ketë të implementuar ‘Lexues Targe’ i cili do të montohet në pozicion të përshtatshëm ku të identifikojë vetëm targën e makinës gjatë orëve të ditës dhe natës.
Dhoma e kontrollit të kamerave të sigurisë parashikohet të vendoset në ambientet e Bashkisë së Vlorës. Për këtë qëllim, do të ketë dhe një aplikacion të posaçëm ku mund të bëhen denoncimet për shkeljet apo krimet nga ana e qytetarëve.
Në dokumentet e tenderit, vendosja e këtij sistemi cilësohet si diçka urgjente. Projekti ka si objektiv ndalimin e vjedhjeve, detektimin e aktiviteteve të dyshimta, parandalimin e krimeve dhe sinjalizimin e organeve ligjzbatuese./Burimi: Scan TV