Covid- 19 perhapet edhe ne Korene e Veriut, 1 milion infektime
Lideri i Koresë së Veriut ka kritikuar zyrtarët shëndetësorë dhe ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve, teksa një valë infektimesh po zgjerohet.
Më shumë se një milion njerëz tashmë janë sëmurë nga ajo që Pheniani e quan “temperaturë”, ka thënë media shtetërore. Rreth 50 njerëz kanë vdekur, mirëpo ende nuk dihet numri i atyre që dyshohet se kanë rezultuar pozitivë në koronavirus.
Koreja Veriore ka kapacitete të kufizuara për testime, andaj edhe konfirmohen më pak raste. Aktualisht në këtë shtet po zbatohet masa e izolimit kombëtar.
Disa ekspertë besojnë se virusi ka qenë prezent prej kohësh në këtë shtet, pavarësisht se autoritetet kanë bërë të ditur rastin e parë zyrtarisht më 12 maj.
Ata besojnë se ky shtet me popullsi prej 25 milionë banorësh është i cenueshëm, pasi Koreja Veriore nuk ka dhënë vaksina kundër koronavirusit dhe ka refuzuar furnizimet me vaksina nga prodhuesit AstraZeneca dhe Sinovac.
Mënyra e vetme e Koresë Veriore për të luftuar koronavirusin ka qenë përmes mbylljes së kufijve të jashtëm prej janarit të vitit 2020.
Autoritetet verikoreane kanë vënë edhe ndalesa në importimin e disa produkteve, çka ka ndikuar në mungesa në ushqim dhe dobësim të ekonomisë./Burimi; REL