Kosova miraton sanksionet e reja ndaj Rusise dhe Bjellorusise
Qeveria e Kosovës ka miratuar sanksione të reja ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
Kosova ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA dhe BE për sanksionet. Në pakon e sanksioneve përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë.
Sanksionet e Kosovës nënkuptojnë ngrirje të aseteve të të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për të sanksionuarit.
Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për vendosje të masave kufizuese për grupin Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi.
“Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze në të drejtat e njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutime jashtëgjyqësore”, ka thënë Ahmeti, duke iu referuar individëve të lidhur me grupin Qagner, që janë sanksionuar nga blloku evropian.
Qeveria ka bërë edhe shqyrtimin e propozim-vendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i BE lidhur me marrjen e masave restriktive për terrorizëm ndaj ISIS dhe Al-Qaeda dhe personave fizikë e juridikë, subjekteve ose strukturave të tjera të lidhura me to.
Kremlini pretendon se Wagner është grup privat, mirëpo ai konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin. Mercenarët e këtij grupi dyshohen për abuzime në Mali, Libi dhe Siri.
Kosova dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor – përveç Serbisë – kanë përkrahur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë më 16 maj për raportet e bllokut evropian me Ballkanin Perëndimor.
Më vonë gjatë ditës së hënë, ata do të kenë edhe një takim të përbashkët me shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve të këtij rajoni.
“Diskutimet për Ballkanin Perëndimor, në takimin e 27 ministrave, sikur edhe ato kur të takohen së bashku ministrat e BE me ata të vendeve të rajonit, do të jetë përballja e përbashkët me sfidat dhe pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.
Trysnia kryesore do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE ndaj Rusisë./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-vendos-sanksione-te-reja-ndaj-rusise-dhe-bjellorusise/