Nga qershori nis kontrolli i pasurive per disa te punesuar, detajet
Kontrollin e pasurisë për të punësuarit qeveria do nisë me 100 personat më të paguar, që figuruan në listën e pagave publikuar në shkelje të ligjit në dhjetor të 2021.
Report TV mëson se duke filluar nga muaji qershor njësia anti-informalitet do të nisë kontrollin e pasurisë për këta të punësuar, duke vënë në peshore stilin e tyre të jetesës në raport me të ardhurat që ata marrin.
Qeveria do të bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe Kadastrën shqiptare, për të marrë të dhënat mbi makinat dhe pasuritë, truall e shtëpi që disponojnë personat nën hetimin tatimor.
Me këto informacione, do të ngrihet dhe regjistri i Aseteve të tatimpaguesve që do të vë në sitë edhe pasuritë e luajtshme.
Aktualisht, inspektorët tatimorë mund të vlerësojnë individët vetëm kur ka prova të evazionit nga librat dhe regjistrimet ose informacionet e palëve të treta, por me ndryshimin e ligjit për procedurat tatimore, do tu jepet kompetencë e drejtpërdrejtë për ta bërë këtë vlerësim pa indice.
Qeveria ende nuk ka qartësuar se çfarë do të ndodhë nëse nga hetimet, tatimorët dalin në konkluzionin se këta individë nuk i justifikojnë pasuritë me të ardhurat që marrin, megjithatë e mundshme është akuza për evazion fiskal./Burimi: Shqiptarja.com