34 milione leke tender per rrugen e re te Rinasit, detajet e projektit
Zgjidhja që do të ofrojë ARRSH për trafikun që krijohet në rrugën e aeroportit të Rinasit përfshin rehabilitimin e rrugës së ish-repartit ushtarak për në këtë aeroport.
Ky dikaster planifikon të hapë një tender, teksa fondi limit i vënë në dispozicion është 34 mln lekë. Koha e zhvillimit të këtij tenderi është muaji tetor, ndërkohë që paralelisht është planifikuar edhe tenderi për supervizimin e punimeve, me një fond limit prej 500 mijë lekësh.
Planifikimi i këtyre procedurave të prokurimit publik vjen pas protestave të qytetarëve, të cilët kundërshtuan vendimin e ARRSH për qarkullimin e automjeteve me një sens lëvizjeje.
Kjo masë u argumentua me qëllimin për të reduktuar trafikun drejt aeroportit të Rinasit, si dhe me parashikimet për flukset të rritje të turistëve gjatë sezonit turistik.
Megjithatë, pas kundërshtimit nga ana e banorëve, ARRSH tërhoqi vendimin, duke rikthyer qarkullimin me 2 sense lëvizjeje, ndërkohë që kreu i këtij dikasteri deklaroi se po punohej për një zgjidhje alternative.
Ndërkaq, duke marrë parasysh afatet e parashikuar për zhvillimin e tenderit, rruga e rehabilituar nuk do të jetë gati gjatë këtij sezoni turistik.
Ndërkaq, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku iu ka kërkuar qytetarëve që udhëtojnë drejt veriut të vendit, të përdorin rrugë të tjera alternative, duke shmangur rrugën e aeroportit./Burimi: SCAN