Secondary Adv

Kredia per individet me e larta ne 10 vite, rritet kerkesa per blerje banese

Bankat kanë shtrënguar standardet vetëm për bizneset e vogla dhe të mesme, ndërkohë që kërkesa e tyre për financim vijon të jetë e lartë.

 

Sa i përket biznesit të madh, ky segment ka shfaqur një portofol të pandryshuar me fundin e vitit 2021. Banka e Shqipërisë nënvizon se, bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për individët dhe i kanë shtrënguar ato për bizneset në tremujorin e parë të vitit.

 

Diçka e tillë theksohej edhe në vrojtimin e publikuar në prill mbi kreditimin. Kjo ecuri vjen në reflektim të rritjes së pasigurisë, si në lidhje me çmimet në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe me ndikimin e konfliktit Rusi- Ukrainë.

 

Bankat kanë rritur financimin në valutë të bizneseve, veçanërisht në euro, segment i cili ka shfaqur përmirësimin më të madh. “Kredia në valutë shënoi një rritje dyshifrore, prej 14.5%, ose rreth dy herë më shumë se rritja e saj në vitin e kaluar.

 

Kjo kredi dominon portofolin e kredisë për biznese, me 57%, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të ardhura në valutë.

 

Rritja e kredisë në valutë u mbështet nga kërkesa e shtuar e bizneseve për blerjen e mallrave jashtë, në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve dhe pasigurisë që solli fillimi i konfliktit në Ukrainë.

 

Po kështu, edhe likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë si rrjedhojë e rritjes së qëndrueshme të depozitave në monedhë të huaj, është një tjetër faktor në mbështetje të kreditimit në valutë”-thekson Banka e Shqipërisë.

 

Sa i përket kredisë për individët, institucioni nënvizon se ka marrë mbështetje nga kërkesa mjaft e lartë për kredi për banesë, çka ka bërë që bankat t`i financojnë individët me ritme të larta.

 

“Portofoli i kredisë për individë ka vazhduar të shfaqë norma të larta rritjeje, prej 16.3%, nivel ky më i larti i dekadës së fundit.

 

Prej mëse një viti, kredia për individë po rritet me ritme të larta, e ndikuar si nga rigjallërimi i konsumit në ekonomi, ashtu edhe nga kërkesa për blerje banesash si për strehim, edhe për investim.

 

Gjithashtu, konkurrenca e shtuar mes bankave në veçanti për këtë segment ka bërë që standardet e kreditimit të jenë në kahun lehtësues, normat e interesit në nivele të ulëta dhe, kërkesa për financim në nivel të lartë”-shton institucioni./Burimi: Scan


Më të lexuarat