Me 1 Tetor 2022 nis Censi i Popullsise dhe Banesave, ja sa do te zgjase
I planifikuar të kryhej në vitin 2020 nga Instituti i Statistikave, Censi i Popullsisë dhe Banesave, u shty në kohë dhe duket se u harrua.
Por, INSTAT ka bërë të ditur se numërimi i Popullsisë dhe Banesave do të fillojë më datë 1 Tetor 2022 dhe do të vazhdojë për një periudhë gjashtë javore.
Për këtë Cens 2020, INSTAT do të përdorë metodën tradicionale, derë më derë, përmes intervistave me pyetësorë, por ndryshe nga Cens-i 2011 i cili u zhvillua me pyetësorë letër, në 2020 do të përdoren tableta.
Gjatë vitit 2021 u realizuan një sërë aktivitetesh përgatitore të Censit. Me qëllim kryesor testimin e metodologjisë, pyetësorit, manualeve si edhe aplikacioneve për mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin, u organizuan 3 teste paraprake, si edhe u krye pilot i dytë i Censit, ku u testuan të gjitha fazat e tij.
Testi më i madh gjithëpërfshirës i të gjitha procedurave të censit ishte Pilot Cens. Qëllimi kryesor i tij ishte mbulimi i disa ndarjeve administrative dhe ekzekutimi i fazave përgatitore, me anë të të cilave u testua përshtatshmëria e gjithë planit të Censit dhe organizimit të tij.
Pilot Censi i dytë filloi më 4 Tetor 2021 dhe zgjati 6 javë në terren. Pilot Censi u krye në 50 zona të ndryshme të shpërndara në nëntë bashki. Pyetësori është hartuar bazuar në rekomandimet e OKB dhe Eurostat-it për raundin e Censit të vitit 2020.
Pyetësori përmban pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe besimin fetar, të cilat janë në përputhje me rekomandimet dhe përgjigjet bazohen në vetëdeklarim/deklarimin e lirë jo të detyruar të individëve.
Gjithashtu, pyetësori përmban kërkesat e përdoruesve, të mbledhura përmes tryezave konsultative dhe siguron krahasueshmëri me pyetësorin e mëparshëm të Censit.
Gjatë 2021, vazhdoi puna për fazën e para-numërimit si: kontrollet e cilësisë së ndërtesave dhe banesave të përditësuara në terren gjatë 2020; përditësimi i kufijve të zonave të numërimit sipas numrit të banesave të identifikuara gjatë përditësimit të hartës në terren në vitet e mëparshme;
përditësimi i zonave specifike në terren të censit (ZC), kryesisht në zona urbane. Sipas INSTAT, gjatë 2022 do të finalizohen të gjithë materialet e nevojshme për realizimin e Censit në Tetor 2022,
si dhe do të vijojë puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censit dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse.
Pas numërimit në terren INSTAT do të organizojë anketën pas Censit, për të llogaritur nivelin e besueshmërisë dhe cilësinë e të dhënave të mbledhura, duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare.
INSTAT ka zhvilluar Cens-in e fundit të Popullsisë dhe Banesave në Tetor të vitit 2011. Sipas shifrave përfundimtare, më 1 tetor 2011 popullsia e Shqipërisë ishte 2.821.977 banorë, ku vihet re një rënie në numrin e popullsisë afërsisht prej 8% në krahasim me Cens-in e vitit 2001./Burimi:SCAN