Secondary Adv

ERE licenson nje kompani per prodhimin e energjise nga inceneratoret

Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar kompaninë ECO-Elb në veprimtarinë e prodhimit të energjisë nga djegia e mbetjeve urbane.

 

Edhe pse shoqëria është e re, në fakt nuk kemi të bëjë me një incenerator të ri por me atë të Elbasanit, i cili nga viti i shkuar e deri më tani është përfshirë në një sërë zhvillimesh të cilat çuan në sekuestrim.

 

Ndërkohë ECO-Elb është një shoqëri e krijuar nga disa Bashki të cilat ashtu siç parashikonte koncesioni për inceneratorin do të merrnin në dorëzim këtë vepër pas disa vitesh nga vënia në punë.

 

“Shoqëria “ECO – ELB” sh.a. ka shpjeguar se me mbarimin e licencës së shoqërisë “Albtek Energji” sh.p.k, për shkak të vendosjes nën sekuestro konservative të të gjithë aseteve të saj, nuk mundi të realizohej në kohë transferimi i centralit

 

(sipas parashikimit të nenit 26, të kontratës së koncesionit të formës BOT), tek shoqëria “ECO – ELB” sh.a., shoqëri kjo e fundit e krijuar për zbatimin e detyrimit koncesionar të transferimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane” thuhet në shkresën e ERE.

 

Licencimi në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane, me kapacitet të instaluar 2850 kW është bërë  deri në datën 27.03.2023.

 

Ndërkohë shoqërisë i është kërkuar brenda datës 01.07.2022 shoqëria “ECO – ELB” sh.a., të depozitojë në ERE dokumentet/qëndrimin përkatës të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në lidhje me transferimin e lejeve.

 

Bashkitë që janë aksionere në Eco-Elb janë ajo e Cërrikut, Përrenjasit, Gramshit, Elbasanit, Belshit apo Librazhdit.

 

Shoqëria në fjalë i bërë me dije Entit se nga data 17.12.2021 deri në datën 28.03.2022, midis AAPSK, bashkive të qarkut dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a., janë zhvilluar takime dhe negocime të vazhdueshme për të bërë të mundur marrjen në përdorim të impiantit të prodhimit të energjisë elektrike.

 

Po ashtu vijon duke informuar se në datën 28.03.2022, u arrit nënshkrimi i kontratës së qirasë me nr. 548 (dërguar edhe në ERE),

 

midis Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a., dhe nga kjo datë ky impiant administrohet nga shoqëria me kapital publik “ECO – ELB” sh.a.

 

“Sipas shoqërisë gjatë periudhës dhjetor 2021 – mars 2022, situata e mbetjeve ishte dhe vijon të mbetet emergjente dhe nga data 15.12.2021 drejtori teknik i impiantit për shkak të mungesës së lëndëve të para të nevojshme për punën e impiantit ka urdhëruar fikjen e komanduar të tij.

 

Që nga kjo datë mbetjet vetëm trajtohen në Landfilld (nuk digjen) dhe si i tillë nuk realizohet prodhimi i energjisë elektrike.

 

Në këto kushte shoqëria “ECO – ELB” sh.a. bën me dije se e ka të domosdoshëm fillimin e menjëhershëm dhe pa vonesë të punës me kapacitet të plotë të impiantit të prodhimit të energjisë elektrike.

 

Ndodhur në kushtet e një situate emergjente, kjo shoqëri kërkon nga ERE pajisjen me licencë për prodhimin e energjisë elektrike me procedurë të përshpejtuar” thuhet në vendim.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/energjia-nga-inceneratoret-ere-licencon-eco-elb-per-prodhim/


Më të lexuarat